Dita e Çlirimit nuk është festë zyrtare në vend. Përkundër kësaj disa institucione arsimore pushojnë e disa punojnë. E krejt kjo për shkak të moskoordinimit mes Ministrisë e Qeverisë. Megjithatë, nga opozita është kërkuar që kjo ditë të hyjë në kategorinë e festave zyrtare.
Si një ndër ditët më të rëndësishme të kombit është kualifikuar 12 qershori nga krerët e shtetit.
Mirëpo kjo ditë nuk është festë zyrtare në vend. Përkundër se nuk është festë zyrtare por vetëm njihet si ditë memoriale, institucionet arsimore të nivelit fillor dhe atij të mesëm e kanë ditë pushimi.
Kjo në bazë të Kalendarit Shkollor të përpiluar nga Ministria e Arsimit.
“Dita e paqes është shënuar si ditë pushimi. Kjo ditë është unifikuar për të gjitha institucionet edukativo-arsimore në të gjitha komunat ngase, viteve të kaluara secila komunë veç e veç ka shpallur ditën e çlirimit. Ky unifikim në Kalendarin Shkollor, është bërë me qëllim për të shmangur çrregullimin e procesit arsimor në nivel vendi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Sipas Ligjit për Festa Zyrtare, vetëm Qeveria në koordinim me Presidencën ka të drejtë përmes një vendimi të shpallë ditë pushimi një datë që nuk hyn në kategorinë e festave zyrtare.
MASHTI nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS se si ka vendosur ta bëjë këtë ditë pushimi, e as në Kryeministri nuk janë përgjigjur për këtë çështje.
Deputeti i Partisë Demokrati të Kosovës, Isak Shabani, ka thënë se institucionet duhet të koordinohen e të veprojnë në bazë të ligjit.
Por ai ka theksuar se Dita e Paqes duhet të futet në kategorinë e festave zyrtare.
“Ajo i ka kompetencat, besoj që të njëjtën gjë mund të veprojë ashtu si për 28 nëntorin... Prandaj do të ishte mirë që kjo ditë sot të jetë ditë feste e Kosovës, por mbi të gjitha ditë historike që të ketë mundësi që së pari të dihen sakrificat e popullit shqiptarë”, ka deklaruar Shabani.
Iniciativa për ndryshime në Ligjin e festave zyrtare është bllokuar disa herë në Kuvend, pasi për votimin e tyre nevojiten dhe dy të tretat e komuniteteve.
Në Këshillin e Prindërve të Kosovës e kanë mirëpritur këtë ditë pushimi për nxënësit, mirëpo kanë kritikuar mungesën e organizimit të aktiviteteve nga institucionet për të treguar rëndësinë e Ditës së Paqes.
“Përtej gjithë kësaj, besoj se do të duhej që të kishte program shtetëror për aktivitete jashtëshkollore për fëmijët sot, si për të kujtuar Ditën e Çlirimit ashtu edhe për të nderuar dëshmorët, martirët dhe miqtë që na ndihmuan për çlirim. Pra mund të ishte një ditë e bukur feste në vend të një ditë të zakonshme pushimi”, ka theksuar kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovë, Jeton Demi.
12 qershori si ditë pushimi shfrytëzohet edhe nga institucionet parashkollore publike. Por jo në të gjitha komunat.
Në Prishtinë e në Pejë, 12 qershori për çerdhet është ditë pune. Arsyetim për këtë nuk kanë dhënë as në drejtorit komunale të arsimit e as në Ministri. Ndërsa menaxhmenti i çerdheve kanë thënë se asnjëherë nuk janë njoftuar pse nuk mund ta shfrytëzojnë këtë ditë pushimi, njashtu si kolegët e tyre.