Arbëri

Institucionet e Kosovës e kanë për detyrë të gjejnë Idriz Rrecën dhe të tjerët

Për nder të veprës dhe sakrificës së dijetarit dhe heroit të kombit, Idriz Rrecaj, i cili u kindapua nga forcat serbe më 19 prill të vitit 1999, u mbajt akademi përkujtimore, ku u tha se Kosova dhe institucionet e saja e kanë për detyrë të gjejnë Rrecajn dhe të tjerët që ende nuk dihet se ku dhe si kanë përfunduar gjatë atyre viteve.

Veli Bytyçi, këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Idriz Rrecaj më 19 prill të vitit 1999, së bashku me 22 intelektualë të tjerë shqiptarë nga Drenica, u kidnapuan nga serbët lokalë dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Ai theksoi se Kosova dhe institucionet e saja e kanë për detyrë të gjejnë Idriz Rrecën dhe të tjerët që ende nuk dihet se ku dhe si kanë përfunduar gjatë atyre viteve.

“Më 19 prillit 1999, natë kjo që asnjëherë nuk u ndriçua dhe bashkë me errësirën u tretën edhe Idriz Rrecaj dhe shumë patriotë të tjerë të vendit tonë, tashmë dihet se mali i quajtur Malla Kaudra, atje te Zubin Potoku diku, Idriz Rrecaj bashkë me 22 intelektualë të tjerë shqiptarë nga Drenica u kidnapuan nga serbët lokalë dhe që nga ajo ditë nuk dihet gjë më për të, pavarësisht kësaj Idriz Recaj edhe sot e kësaj dite mbetët pjesë e lëvizjes sonë kombëtare për çlirim, dhe natyrisht që nuk harrohet kurrë, Kosova dhe institucionet e saj e kanë për detyrë të gjejnë Idriz Rrecen dhe të tjerët që ende nuk dihet se ku dhe si kanë përfunduar gjatë atyre viteve”, u shpreh Bytyçi

Ai tha se krahina e Drenicës i dha shumë personalitete të shquara të mendjes dhe të pushkës, historisë tonë kombëtare, dhe se këta trima do të kujtohen gjithmonë.

Ndër të tjerash Bytyçi tha se Idriz Rreci i takon brezit të patriotëve që kundërshtuan ashpër dhe me këmbëngulje zhvillimet e kohës që erdhën në fund të viteve të 80-ta dhe fillimin e viteve të 90-ta.

Në emër të familjes, Tahir Rrecaj falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që ishin të pranishëm në këtë akademi përkujtimore.

“Në emër të familjes Rrecaj ju falënderoje për këtë pjesëmarrje në këtë akademi përkujtimore, në nderim të familjarëve tonë Idriz Rrecaj, Hero i Kosovës”, tha Rrecaj.

Në fund të kësaj akademie u shfaq dokumentari i përgatitur nga Nuhi Bytyçi, kushtuar jetës dhe veprës së Idriz Rrecaj, i titulluar ‘Njeriu i madh i Drenicës’./KsP.