Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Institucionet dënojnë punëtorët që nxjerrin informata

Një prej skandaleve të këtij viti ku ishte i përfshirë Shpëtim Maxhuni, djali i shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, doli në publik si rezultat i punës së gazetares së Kohës Ditore, Saranda Ramaj, raporton KTV.

Megjithatë, nga ky rast, deri tash ka pësuar vetëm një pjesëtar i Policisë së Kosovës, për të cilin Inspektorati Policor, ka dyshime se ka bashkëpunuar me gazetën.

Rekomandimi i Inspektoratit për suspendimin e Afrim Karaxhës, është nënshkruar nga drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Gazetarja e KTV-së, Ardiana Thaçi, njëherësh anëtare e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, së voni ka realizuar një sërë kronikash televizive që lidheshin me dyshimet për keqmenaxhimin e fondeve në Telekomin e Kosovës.

Dhe sërish, nuk kanë vonuar mesazhet paralajmëruese për punëtorët që në rast se nxjerrin informata në media mund të ballafaqohen me pasoja.

Kërcënime pati edhe për punëtorët e Barnatores Qendrore, pas publikimit në koha.net të videos ku shihej se vendi ku ruheshin barnat për gjithë vendin, ishte në kushte të tmerrshme.

Këta hapa të drejtuesve të institucioneve publike, juristja e medias, Flutura Kusari, i konsideron të papranueshme, e që mund të jenë dekurajuese për sinjalizuesit potencialë.

Veprimet hakmarrëse nga drejtues të institucioneve publike, sipas Kusarit, janë një tregues se mungon vullneti politik që burimet e gazetarëve dhe sinjalizuesit të mbrohen.

Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, është miratuar vetëm javën e kaluar dhe derisa pretendohet të jetë një prej ligjeve më të favorshme për sinjalizuesit, mbetet të shihet se sa do të arrijë të zbatohet nga momenti kur hyn në fuqi.

Artikuj të ngjashëm