Dy arsye ka dhënë Qeveria për moslejimin e vizitës së drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Sipas ekzekutivit, Petkoviqi nuk ka respektuar kohën e caktuar për njoftimin e vizitës si dhe e ka shkelur atë që i është dhënë herën e kaluar.
“Fillimisht, kërkesa e z. Petkoviq për të hyrë në Republikën e Kosovës ka qenë në mospërputhje me marrëveshjen për vizitat zyrtare. Ai nuk ka respektuar kohën e paraparë në marrëveshje për dorëzimin e njoftimit për vizitën e tij. Pikat 3 dhe 2b të marrëveshjes në fuqi parashohin se një gjë e tillë duhet të bëhet vetëm gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte) dhe gjatë orarit të punës, si dhe të paktën 48 orë para se vizita të realizohet. Në të njëjtën kohë, z. Petkoviq gjatë vizitës së tij të kaluar ka shkelur lejen tonë, duke zhvilluar takime me strukturat ilegale, përkundër faktit se leja i ishte dhënë bazuar në agjendën e koordinuar për të ndjekur rite fetare. Për më tepër, z. Petkoviq vazhdimisht ka përdorur gjuhë të papërshtatshme dhe ka nxitur urrejtje ndëretnike, që bie në kundërshtim me karakterin demokratik dhe multietnik të Republikës sonë dhe nuk i kontribuon procesit të dialogut”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Përgjigjja e Qeverisë u bë pas dy ditë tentimesh për të marrë një sqarim lidhur me mosdhënien e lejes për shefin e delegacionit serb në dialogun Kosovë-Serbi.
Por, version tjetër kanë dhënë nga Bashkimi Evropian. Sipas zëdhënësit, leja për vizitën e Petkoviqit, është dashur të aprovohet pasi njoftimi i bërë herën e dytë ka qenë në përputhje me marrëveshjen.
“Vizitat zyrtare luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve dhe mirëkuptimit ndërmjet palëve dhe ato nuk duhet të politizohen. BE-ja është njoftuar për dy njoftime ditëve të fundit për vizitën e drejtorit Petkoviq në Kosovë. Njoftimi i parë proceduralisht nuk ishte në përputhje me Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare, i cili rregullon procedurat për njoftimin dhe kryerjen e vizitave zyrtare. Njoftimi i dytë, megjithatë, ishte plotësisht në përputhje me Marrëveshjet, prandaj vizita duhej të ishte miratuar. BE-ja u kërkon të dyja palëve që të zgjidhin çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të tillë në dialog dhe në mirëbesim, duke përdorur kanalet e vendosura të komunikimit të zyrtarëve Ndërlidhës. Të dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të zbatojnë detyrimet në pritje, duke përfshirë ato që lidhen me vizitat zyrtare”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ndonëse nuk i është dhënë aprovimi, Petkoviqi të mërkurën ka provuar sërish të kalojë kufirin për në Kosovë.
Derisa një ditë më parë Petkoviqit tha se refuzimi i lejes është bërë për shkak të disa gabimeve teknike, të mërkurën ai ka thënë se ka marrë arsyetim tjetër.
E kjo, për shkak se dita e hënë në Kosovë ka qenë pushim, me rastin e Festës së Kurban Bajramit.
“Edhe Beogradi ka ditë jopune, por krejt detyrat tona i kryejmë si duhet dhe në kohë, duke respektuar marrëveshjet që i kemi arritur në Bruksel. Dhe pikërisht për t’ia dëshmuar Bashkësisë Evropiane se ky është vetëm një arsyetim i Albin Kurtit, e kam paralajmëruar dje në mënyrë të rregullt vizitën time për sot, për ta parë nëse dje ishte ditë jopune kur kanë marrë paralajmërimin e ri dhe e-mailin e ri”, u shpreh Petkoviq.
Petkoviqi ka akuzuar sërish kryeministrin Albin Kurtin për shkelje të marrëveshjes për vizitat zyrtare, derisa ka pasur edhe një mesazh për Bashkimin Evropian.
“Ardhja ime e sotme në Konçul është porosi, para së gjithash, për bashkësinë ndërkombëtare e cila ashiqare ose është e paaftë apo shtiret si e tillë kur është fjala për Prishtinën dhe kur e këqyr në detaje Albin Kurtin e Prishtinën që përditë shkelin marrëveshjet që kemi arritur në Bruksel, përfshirë edhe Marrëveshjen për vizita zyrtare”, shtoi ai.
Kosova dhe Serbia, në tetor të 2013-s arritën marrëveshje për vizita zyrtare, marrëveshje kjo e cila u finalizua në nëntor të 2014-s.
Sipas kësaj marrëveshjeje, zyrtarët e të dyja shteteve duhet të njoftojnë njëra-tjetrën për vizitat në afate të caktuara kohore. Të paktën 72 orë përpara vizitës për zyrtarët e lartë shtetërorë, derisa 48 orë për zyrtarë të tjerë, qeveritarë komunalë e të drejtësisë.