Inspektorati i Punës ka anuluar vendimin e Drejtorisë së Arsimit në Deçan, për pranimin e një kandidati në vendin e punës për mësimdhënës të mësimit klasor në shkollën fillore “Kuvendi i Verrave të Llukës”, në Llukë e Epërme.
Është urdhëruar Drejtoria e Arsimit që ta rishpallë konkursin për këtë vend të punës, shkruan sot Koha Ditore.
Këtë vendim Inspektorati i Punës e ka sjellë pas ankesës së kandidatit tjetër që kishte konkurruar në këtë konkurs, me pretendimet se janë bërë shkelje në këtë konkurs të shpallur më 24 gusht.
Sipas këtij vendimi, kandidati Fistrim Muqaj i kishte plotësuar kushtet sipas konkursit njëjtë sikurse edhe kandidati A.R. që është pranuar. Por, siç thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës, kandidati që është pranuar ka figuruar si kandidat në konkurs për në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, por jo edhe në konkursin për vendin e punës në shkollën “Kuvendi i Verrave të Llukës”, ku ai është pranuar dhe më 6 shtator e ka nënshkruar kontratën.
Inspektorati i Punës ka konstatuar gjithashtu se konkursi nuk ka qenë i hapur 15 ditë, por vetëm 8 ditë. Pastaj, sipas këtij vendimi, nuk është mbajtur as testimi me shkrim dhe pa u shterur të gjitha procedurat të kandidatëve për ankimim, është lidhur kontrata e punës me kandidatin e pranuar. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)