Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykata pezullon konkursin e fundit për mësimdhënës në Prizren

Foto: Driton Paçarada / Koha

Konkursi i Komunës së Prizrenit për mësimdhënësit, që ishte shpallur më 4 nëntor të këtij viti, është pezulluar nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Kjo gjykatë ka caktuar masën e përkohshme të sigurimit për këtë konkurs në bazë të propozimit të kandidatëve që janë përzgjedhur si më të suksesshëm në konkursin e ngjashëm të zhvilluar gjatë verës së këtij viti. Zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit, të enjten, kanë deklaruar se ende nuk e kanë pranuar vendimin e gjyqësorit mbi pezullimin e konkursit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, ka konfirmuar për gazetën pezullimin e konkursit të datës 4 nëntor 2019, të shpallur nga Zyra e Personelit të Komunës së Prizrenit.

“Gjykata Themelore e Prizrenit ka aprovuar si të bazuar propozimin e propozuesve Arta Begaj-Thaqi, Ardita Dilji, etj. të cilat i përfaqëson avokati Muhamet Shala, ku caktohet masa e përkohshme e sigurimit me të cilën i urdhërohet të paditurës Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, ashtu që pezullohet konkursi me nr.01-111-154376 i datës 04.11.2019, shpallur nga Zyra e Personelit të Komunës së Prizrenit deri në shterjen e mjeteve administrative apo deri në një vendim tjetër të gjykatës”, ka thënë Kicaj të enjten. Gjykata ka obliguar propozuesin që në afat prej 30-ditësh të ngrejë padi dhe ta njoftojë gjykatën për këtë.

Lidhur me këtë çështje, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi-Vezgishi, ka theksuar se ende nuk e kanë pranuar vendimin e Gjykatës.

Komuna e Prizrenit pak ditë më parë pati publikuar listën e kandidatëve adekuatë që të vazhdojnë procedurën në konkursin e datës 4 nëntor 2019.

Edhe Pezullohet konkursi për mësimdhënës në Prizren, pas vendimit të gjykatës Arbëri Pezullohet konkursi për mësimdhënës në Prizren, pas vendimit të gjykatës

Në anën tjetër, një javë më parë, grupi i mësimdhënësve që ishin përzgjedhur në bazë të konkursit të zhvilluar nga DKA-ja në verë të këtij viti përmes një letre të hapur kanë kërkuar që të fillojnë punën në ato vende ku kanë fituar me konkurs.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)