Arbëri

Në Mitrovicë anulohet konkursi për mësimdhënës, shkak rezultatet e dobëta

Shkollat në Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës, ka anuluar konkursin e shpallur më 28 shkurt për mësimdhënës të shkollave të mesme të larta, me arsyetimin se në të shtatë konkurset janë shënuar rezultate të dobëta.

Sipas vendimit, konkursi është anuluar me rekomandim të Drejtorisë së Arsimit, ndërsa kryetari i komunës, Bedri Hamza ka inkurajuar të gjithë të pakënaqurit me këtë vendim që të ankohen.

“Është publike, ka qenë konkursi për shkollat fillore e të mesme, është kryer procesi, dikush nga kandidatet që nuk është i kënaqur mund të ankohet. Unë i inkurajoj ta bëjnë këtë gjë. Kërkoj që të krijohet mundësia që njerëzit më meritorë të kontribuojnë në procesin e arsimit. Sa i përket konkursit të shkollave të mesme është anuluar dhe do të përsëritet”, ka thënë Hamza për KOHËN.

Në vendim është thënë se për disa vende të punës nuk ka arritur asnjë kandidat ta kalojë testin.

“Pas mbajtjes së testit me shkrim vërtetohet se nga një numër i konsideruar i kandidatëve sa i janë nënshtruar testimit me shkrim, nuk është arritur as numri i kërkuar i mësimdhënësve sipas konkurseve të shpallura. Për disa vende të punës, nuk ka arritur asnjë kandidat të kalojë testin”, thuhet në vendimin e Komunës.