Arbëri

Interesim i ulët e mungesë e kandidatëve të kualifikuar për t’u bërë drejtorë në shkollat e Prishtinës

Disa nga konkurset për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave të mesme në kryeqytet kanë dështuar, për shkak të interesimit të ulët si dhe në mungesë të kandidatëve të kualifikuar për të garuar. Humbja e besimit në institucionet për rekrutime meritore si dhe paga e vogël e drejtorëve krahas përgjegjësive janë kualifikuar si dy ndër arsyet kyçe që kandidatët adekuatë hezitojnë të aplikojnë.

Pesë konkurse për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendës drejtorëve të shkollave të mesme në kryeqytet kanë dështuar, për shkak të interesimit të ulët për të kandiduar.

Edhe ata që kandiduan, disa prej tyre nuk i plotësuan kriteret në mungesë të kualifikimeve për të qenë pjesë e garës, për gjimnazin “Hoxhë Kadri Prishtinë”, atë të Specializuar Matematikor, “7 Shtatorin”, e “Gjin Gazullin”.

Vetëm konkursi për drejtor në gjimnazin “Sami Frashër” ka përfunduar me sukses. Pesë persona garuan për këtë pozitë.

“Konkurset janë anuluar, pasi nuk ka pasur mjaftueshëm kandidatë që i kanë plotësuar kushtet për të qenë pjesë e rundit të parë, udhëzimi administrativ e përcakton që duhet të jenë të paktën tre kandidatë që i plotësojnë kushtet në mënyrë që të vazhdohet me konkursi”, ka theksuar, drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati.

Humbja e besimit në institucionet për rekrutime meritore si dhe paga e vogël e drejtorëve krahas përgjegjësive, janë kualifikuar si dy ndër arsyet kryesore që kandidatët adekuatë hezitojnë të aplikojnë.


Paga e një drejtori në krahasim me një mësimdhënës dallon afro 70 euro. Edhe në Ligjin e ri të Pagave, diferenca mes koeficienteve për këto dy pozita nuk përbën dallim.

"Interesimi për të kandiduar në pozita udhëheqëse në institucionet arsimore nuk është shumë befasues për shumë arsye, në mesin e tyre përgjegjësia shumë e madhe që e ka një drejtor dhe zëvendësdrejtor që ka karshi pagës që merr, orari i stërzgjatur dhe shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohen e që në gjykimin tonë e bëjnë jo atraktive këtë pozitë për shumë nga mësimdhënësit, për të kaluar në pozita udhëheqëse", ka deklaruar drejtori i Instiutit “Ed Guard”, Rinor Qehaja.

Për ta rritur besimin gjatë rekrutimit, Drejtoria e Arsimit ka angazhuar edhe Ambasadën britanike, e cila do të vazhdojë ta monitorojë procesin.

“Në këtë aspekt Ambasada britanike ka qenë shumë pozitive, për shkak se e kanë trajnuar komisionin së pari, së dyti e kanë pasur që i zhvillojnë mënyrat e rekrutimit në mënyrë shumë transparente. Mendoj që edhe kandidatët potencialë që do të marrin pjesë në konkurs do të ndihen më të sigurt që procesi do të shkojë në rregull”, është shprehur Musmurati.

Përveç në Prishtinë, edhe në Mitrovicë dështuan në nëntor të vitit të kaluar konkurset për rekrutimin e menaxhmentit të lartë në trembëdhjetë institucione të arsimit parauniversitar.

Pa drejtorë e zëvendësdrejtorë janë edhe 10 shkolla të tjera në kryeqytet. Sipas drejtoreshës Musmurati, shpallja e konkursit për këto institucione është çështje javësh.