Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

INPO: Policia ka lidhur kontratë të negociuar për ushqimin, po rrezikon buxhetin

Policia e Kosovës

Organizata INPO ka deklaruar se problemet që ka ngritur lidhur me çështjen e tenderit për ushqim për Policinë e Kosovës nuk janë adresuar, madje se janë thelluar. INPO në nëntor të vitit të kaluar ka reaguar lidhur me problematikat e identifikuara në tenderin e hapur për shërbimet me ushqim për Policinë e Kosovës, me vlerë të parashikuar 2.7 milionë euro për 36 muaj, i cili u anulua në dhjetor 2025, me pretendimin e mungesës së ofertave të përgjegjshme.

Aktualisht, ligjshmëria e anulimit të këtij tenderi është në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

INPO ka thënë se pas anulimit të tenderit të hapur dhe derisa çështja është ende në shqyrtim në OShP, Policia e Kosovës ka lidhur një kontratë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë 650 mijë euro për vetëm 3 muaj, për të njëjtin objekt kontrate dhe për të njëjtat nevoja të parashikueshme.

“Ky veprim ka pasoja të drejtpërdrejta financiare për buxhetin publik. Kontrata e negociuar i kushton Policisë së Kosovës rreth 216 mijë euro në muaj, ndërkohë që tenderi i hapur i planifikuar për 36 muaj parashihte një kosto mesatare prej rreth 75 mijë euro në muaj. Pra, procedura e negociuar rezulton të jetë gati trefish më e shtrenjtë në baza mujore sesa një procedurë e rregullt konkurruese. Ky dallim i madh financiar rrëzon çdo arsyetim për mungesë buxheti dhe tregon qartë se procedurat e negociuara, përveç mungesës së transparencës, prodhojnë edhe kosto më të larta për paranë publike”, thuhet në reagim.

Më shqetësuese INPO e sheh faktin se kjo kontratë e negociuar është lidhur pikërisht me operatorin ekonomik që në procedurën e hapur ishte shpallur i papërgjegjshëm dhe kishte ushtruar ankesë kundër vendimit të Autoritetit Kontraktues. 

“Ky kontrast serioz – nga operator i shpallur i papërgjegjshëm në tender të hapur, në kontraktor përmes negociimit pa publikim – minon besueshmërinë e vlerësimit institucional dhe krijon dyshime të bazuara për trajtim selektiv dhe favorizim”, ka thënë organizata.

Sipas INPO-s, Policia nuk mund të iniciojë procedurë të re derisa ankesa kundër anulimit të tenderit të rregullt është ende në shqyrtim. 

“Në këtë kontekst, INPO vlerëson se ekziston dyshim i arsyeshëm se dështimi i tenderit të rregullt dhe krijimi i urgjencës nuk janë thjesht pasoja të rastësishme, por prodhojnë një zinxhir shkak–pasojë që hap rrugë për kontrata të negociuara, me të gjitha të metat që i shoqërojnë ato: mungesë konkurrence reale, mungesë transparence, rritje të kostos dhe rrezik të lartë për favorizim dhe abuzim me paranë publike”, thuhet tutje.