Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

INPO në Ferizaj kërkon anulimin e kontratës “Administrimi i profilit të kryetarit të komunës"

INPO

Prishtinë, 30 janar - Organizata INPO reagon ashpër ndaj keqmenaxhimit të parasë publike përmes instrumentit të prokurimit në komunën e Ferizajt dhe kërkon që të mbahen përgjegjës zyrtarët, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës.

INPO ka gjetur se Kontrata “Administrimi i profilit të kryetarit të komunës në rrjetet sociale” me numër të prokurimit 656-18-2748-2-3-5, në vlerë prej 18 mijë euro, e lidhur sipas procedurës së negocimit pa publikimin e njoftimit për kontratë është e kundërligjshme, pasi që nuk janë respektuar parimet elementare ligjore për inicimin e procedurës për lidhje të kontratës dhe po ashtu kontrata nuk promovon asnjë lloj objektive institucionale të komunës së Ferizajt, por promovon vetëm imazhin e kryetarit të Komunës në rrjete sociale përmes shpenzimit të parasë publike dhe favorizon operatorin ekonomik, pronar i së cilës është familjari i Drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Ferizajt.

INPO ka analizuar kontratën dhe dokumentet relevante dhe ka gjetur se Komuna e Ferizajt, nuk e ka plotësuar asnjë kusht ligjor për përdorimin e procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, por e ka keqpërdorur atë.

INPO i bën thirrje të gjitha autoriteteve relevante, të cilat kanë për mandat mbikëqyrjen e shpenzimit e parasë publike, të reagojnë në kërkim të llogarisë për shkeljet e paraqitura dhe të angazhohen që autorët e këtyre shkeljeve të mbahen përgjegjës para ligjit.