Komuna e Ferizajt ka anuluar kontratën “Kryerja e shërbimeve mbështetëse profesionale për nevojat e Komunës së Ferizajt”, në vlerë prej 750 mijë eurosh pas reagimit të OJQ-së “INPO”, e cila ka bërë një hulumtim gjatë periudhës së fundit kohore. Këtë çështje e pati trajtuar edhe KOHA nëpërmjet një publikimi derisa kjo kontratë nuk parasheh kryerjen e ndonjë shërbimi profesional për nevojat e komunës, pasi që në këtë kontratë nuk figuron asnjë lloj i shërbimit specifik që pritet të ofrohet nga i kontraktuari dhe nuk mund të gjenden objektivat apo detyrat dhe përgjegjësitë që priten të përmbushen.
Ndërkaq, në nenin 3 të kontratës, të cilën e ka siguruar KOHA, thuhet se “Çmimi i paraqitur nga ofruesi i shërbimeve në vlerë prej 25,496.00 euro është çmim për njësi, deri në përmbushjen e shumës së planifikuar buxhetore prej (750,000.00 euro)”, thuhet midis të tjerash në kontratë.
Megjithëse kjo kontratë është pretenduar të jetë kontratë kornizë, e njëjta nuk parasheh devijimet e lejuara nga sasitë indikative dhe nuk përmbush kërkesat ligjore për t’u konsideruar si e tillë. Në këtë kuptim as vlera totale e kontratës nuk mund të zbërthehet.
Ndërkohë, nëpërmjet një komunikate për media, organizata INPO, të premten ka sqaruar se kanë hulumtuar dhe identifikuar shkeljet ligjore në këtë aktivitet të prokurimit si dhe situata e konfliktit të interesit. Sipas INPO-s, Komuna me pajtimin e plotë të operatorit ekonomik ka shkëputur kontratën, përmes një marrëveshjeje në të cilën nuk janë dhënë arsyet e shkëputjes së kontratës.
“Në këtë marrëveshje për shkëputjen e kontratës, thuhet që operatori ekonomik heq dorë nga çfarëdo lloj kompensimi apo dëmi që mund të jetë shkaktuar dhe heq dorë nga kontestimi në rrugë administrative dhe gjyqësore. INPO vlerëson se heqja dorë e operatorit ekonomik nga e drejta për të kërkuar kompensim është tregues se kjo kontratë apo ky aktivitet i prokurimit qysh në inicim është përgatitur për t’iu dhënë këtij operatori”, thuhet në komunikatën e INPO-s.
Po ashtu, INPO në reagimin e datës 4 shkurt 2021 ka publikuar gjetjet e hulumtimit për të gjitha shkeljet ligjore që janë bërë në këtë aktivitet të prokurimit.
“INPO mirëpret veprimet e komunës për të evituar më tutje, keqpërdorimin e parasë publike përmes kësaj kontrate. Megjithatë, INPO vlerëson se komuna nuk guxon të mjaftohet vetëm me këtë masë, por duhet të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që të sigurohet se shkelje të tilla, të cilat denigrojnë institucionin e komunës dhe cenojnë integritetin e saj, nuk do të përsëriten”, thuhet më tej në komunikatë.
"INPO fton kryetarin e komunës, si dhe organet e rendit që të kërkojnë llogaridhënie brenda kompetencave të tyre ligjore, ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke dhënë edhe mesazhe të qarta për të gjithë zyrtarët se veprimet e tilla janë të dënueshme dhe të patolerueshme".
Në anën tjetër, shefi i prokurimit në Komunën e Ferizajt, Asmir Azemi, ka thënë se kontrata është shkëputur më 11 shkurt të këtij muaji pas një analize të përbashkët me menaxherin e kontratës dhe operatorin ekonomik. Sipas tij, kjo kontratë ishte e trashëguar nga menaxhmenti i kaluar i prokurimit.
“Së pari unë prej 28 dhjetor të vitit të kaluar jam në këtë pozitë, ndërkohë kjo kontratë është e trashëguar. Prandaj me të marrë detyrën e kemi analizuar këtë kontratë. Ndërkaq, duke u bazuar në rekomandimin e menaxherit të kontratës i cili e ka parë se kjo kontratë mund të jetë problematike në përmbushje, ndërkohë e kemi thirrur operatorin dhe me vullnet të përbashkët e kemi ndërprerë kontratën. Pra në këtë rast nuk ka pasur dëmtim të buxhetit dhe nuk ka prodhuar efekte juridike, prandaj nuk ka përgjegjësi askush për këtë”, ka sqaruar Azemi.
Ndërkohë, Koha pati raportuar rreth kësaj kontrate derisa komuna më 3 dhjetor të 2020-s kishte nënshkruar kontratë publike kornizë me kompaninë fituese “ECO & CONTO” Sh.P.K. Ndërkaq, shpallja e konkursit është bërë për plotësimin e 53 pozitave të cilat janë identike me pozitat e kërkuara nga Komuna e Ferizajt në dosjen e tenderit. Sipas dokumenteve që i ka siguruar KOHA, ky konkurs ka qenë i hapur deri më 8 janar 2021, çka dëshmon se kompania fituese nuk ka pasur në dispozicion personelin e kërkuar dhe nuk ka qenë e gatshme të fillojë implementimin e kontratës me kohë. Ndërkaq komuna e Ferizajt nuk ka zhvilluar asnjë lloj komunikimi me kompaninë rreth zbatimit të kontratës, implementimi i së cilës është dashur të fillojë më 4 janar 2021.