Këshilltarët e Iniciativës Qytetare në Kuvendin e Fushë-Kosovës kanë propozuar një rezolutë për ta rregulluar trafikun në këtë komunë. Ky dokument u është dërguar të gjithë këshilltarëve të Kuvendit Komunal dhe kryetarit të kësaj komune, Burim Berisha, dhe i njëjti pritet që të shtrohet si pikë e rendit të ditës në seancën e ardhshme.
Këshilltari i Iniciativës Qytetare, Naser Grajçevci, ka thënë se në seancën e fundit të Kuvendit Komunal e kanë shpërndarë materialin te të gjithë këshilltarët komunalë dhe kanë kërkuar që të futet si pikë e rendit të ditës ky propozimrezolutë, por Kryesia e Kuvendit ka kërkuar që kjo pikë të futet në rend dite në seancën e radhës. Sipas zyrtarëve të IQ-së trafiku në Fushë-Kosovë është në gjendje kaosi, shkruan sot Koha Ditore.
“IQ përmes këshilltarëve të vet në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës, në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal të vitit 2019, ka paraqitur një propozim-rezolutë për rregullimin e gjendjes së padurueshme nëpër rrugët e Fushë Kosovës, sidomos në qytet dhe përgjatë magjistrales Prishtinë-Pejë. Ky propozim ka mbetur që në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal të futet si pikë e rendit të ditës, ku do të debatohet dhe vendoset për apo kundër”, kanë thënë zyrtarët e kësaj iniciative.
(Detajet mund t’i lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)