Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se iniciativa e nisur nga Gjermania e Franca është serioze dhe në funksion të intensifikimit të procesit të dialogut. Ndonëse për të nuk janë dhënë hollësi nga asnjëri prej krerëve të shtetit, ambasadori i SHBA-së në Serbi ka konfirmuar se janë bërë diskutime me të gjitha palët e përfshira.
Nisma gjermano-franceze për dialogun Kosovë-Serbi është konfirmuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Ndonëse pa dhënë detaje shtesë lidhur me përmbajtjen e propozimit, Osmani ka thënë se ajo është serioze.
“Çdo iniciativë e partnerëve tanë është serioze. Iniciativa është që të intensifikohet procesi i dialogut dhe natyrisht si Franca, si Gjermania, kanë qenë historikisht partnere, aleate dhe mbështetëse të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani të martën.
Kjo iniciativë është bërë publike nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, javën që lamë pas.
Sipas tij, propozimi nga Gjermania dhe Franca nënkupton ulëse për Kosovën në OKB në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të Serbisë në BE.
Për propozimin, të martën, është deklaruar edhe ambasadori amerikan në Serbi, Chrisptoher Hill.
“Sigurisht që kemi pasur diskutime të gjera me Bashkimin Evropian lidhur me të. E dimë që BE-ja ka zhvilluar diskutime të gjera me udhëheqësit këtu në Beograd dhe në Prishtinë. S`do të doja të hyja në detaje sepse ka diskutime të mëtejme që duhet të bëhen. Por, ne mirëpresim interesimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së për ta adresuar këtë çështje dhe pasqyrimin e tyre në mënyrë që të ecet përpara”, ka deklaruar Hill.
KOHA ka pyetur për propozimin e përfolur edhe në Bashkimin Evropian, por përgjigje nuk ka marrë.
Njashtu siç nuk kanë konfirmuar nëse ai do të jetë temë diskutimi në takimin e radhës mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, që pritet të zhvillohet këtë muaj.
E kryeministri Albin Kurti propozimin e ka quajtur test për ta matur disponimin e palëve.