Kryeministri Albin Kurti ka insistuar se propozimi franko-gjerman përbën test për palët. Por, presidentja Vjosa Osmani ka thënë të premten se iniciativa është konkrete. Osmani nuk ka dhënë detaje për këtë nismë, por ka paralajmëruar se së shpejti ato do të shpalosen edhe nga ekipet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron
Përfaqësuesit më të lartë të shtetit nuk ndajnë vlerësim të njëjtë për peshën që ka plani franko-gjerman për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Kryeministri Albin Kurti ka insistuar se propozimi përbën test për palët. Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani ka thënë të premten se iniciativa është konkrete.
Osmani nuk ka dhënë detaje për këtë nismë, por ka paralajmëruar se së shpejti ato do të shpalosen edhe nga ekipet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
“Iniciativa franko-gjermane ka për qëllim intensifikimin e dialogut. Kjo nënkupton që shumë çështje të cilat në fillim kanë qenë të planifikuara të trajtohen veç e veç në marrëveshje të ndara, të cilat do të mund të merrnin vite të tëra, ideja është që të gjitha ato çështje të grupohen në një dokument të vetëm, në mënyrë që në mënyrë intensive të tejkalohen dallimet dhe të arrihen marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur”, ka deklaruar presidentja Osmani në një konferencë për media të premten.
Ajo ka theksuar se partnerët ndërkombëtarë kanë “qëllim të mirë”, dhe ka insistuar se nuk është kërkuar që Kosova të heqë dorë nga njohja reciproke.
Ndërkombëtarët synojnë t’u japin zgjidhje të gjitha çështjeve brenda një kohe të shkurtër, dhe këtë javë kanë kërkuar nga Qeveria që ta shtyjë edhe për 10 muaj afatin që u është dhënë pronarëve të automjeteve me targa ilegale të Serbisë që t’i konvertojnë në RKS.
Presidentja Osmani ndan të njëjtin qëndrim me kreun e Qeverisë se afati nuk duhet shtyrë.
“Shtyrja e vazhdueshme në njëfarë mënyre nënkupton se po tolerohen këto kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokalë dhe prandaj po e them se kjo është çështje e sundimit të ligjit. Kjo nuk është assesi kundër serbëve, është një çështje që ka të bëjë me mbrojtjen e tyre nga këto banda kriminale”, ka deklaruar Osmani.
Osmani ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ajo ka thënë se me emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, ka diskutuar për këtë çështje dhe ka theksuar se Kosovës nuk i kërkohet që të marrë vendime të cilat bien ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin.
“Draftin gjerman” të Statutit të Asociacionit, të cilin e publikoi KOHA, Osmani e ka e ka quajtur “fake news”. Ajo ka thënë se opsione të tilla as nuk kanë pranuar e as nuk do të pranojnë nga ndërkombëtarët.
“Nuk është e vërtetë që ekziston një draft i shteti gjerman që u është dorëzuar institucioneve të Kosovës dhe as nuk do të ketë, të jem e qartë, për shkak se qëndrimi i partnerëve tanë është i qartë në kontekstin se ata nuk thonë vetëm themelojeni asociacionin, por e përmendin se asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në Kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ajo.
Dokumenti i publikuar, sipas burimeve, është punuar nga Fondacioni Friedrich Ebert.
Osmani ka folur edhe për heqjen e regjimit të vizave, duke thënë se shpreson që vendimi politik të merret deri në dhjetor. Sipas saj, në takimet me përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, ka marrë përkrahjen se nuk do të vendosin kritere të reja për liberalizimin.
“Mirëkuptim kemi nga shumica dërmuese. Ka dy-tri shtete që i kanë disa shqetësime me të cilat po merremi intensivisht”, ka thënë ajo.
Deklarimet presidentja Osmani i ka shprehur në konferencën për media, e në të cilën ndau detaje për organizimin e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurisë, punimet e të cilit do të nisin të shtunën.