Instituti për Politika Zhvillimore thotë se ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në fushën e energjisë.
Përmes një komunikate për media INDEP thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar dje bllok tarifat e reja me ndarjen e re që fillon nga 800 kW dhe sipas njoftim të ZRRE-së, bllok tarifat e reja do të nisin zbatimin dhe do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.
“Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve përmes faturimit të pasaktë, jotransparent dhe të padrejtë për energjinë e shpenzuar deri me datë 9 shkurt. Për këtë, I bëjmë thirrje ZRRE-së që të sigurohet se ka ndarje të qartë në mes kohës së faturimit me çmimoren e re dhe asaj të vjetër dhe se konsumatorët janë të informuar saktë dhe drejtë mbi këtë proces”, thuhet në njoftim.
INDEP konsideron që ZRRE duhet të sqarojë mirë formën se si do të tarifohen konsumatorët për energjinë e shpenzuar gjatë muajit shkurt. Sipas njoftimit, bazuar në vendimin e tarifave të reja, KESCO do të duhej të kishte nisur llogaritjen e faturave për energjinë e shpenzuar nga data e tarifimit të fund-muajit janar 2022 deri më datën 8 shkurt 2022 sipas tarifave të vjetra.
Më pastaj, sipas tyre, KESCO do të duhej të tarifonte përsëri konsumatorët për energjinë e shpenzuar tri javët e fundit të muajit shkurt 2022 me tarifat e reja të aprovuara.
Me këtë reagim, INDEP kërkon që ZRRE të prioritizojë mbrojtjen e konsumatorit dhe urgjentisht të urdhërojë KESCO-n që të faturojë energjinë e muajit shkurt në dy fatura të ndara.
Edhe
INDEP i kërkon ZRRE-së të sigurojë mbrojtje të konsumatorëve në procesin tarifor
“E shohim shumë të rrezikshme dhe dëmtim të drejtpërdrejtë të të drejtave ekonomike të konsumatorëve nëse konsumatorët në fund të muajit shkurt 2022 do të ngarkohen me tarifat e shtrenjtuara të energjisë elektrike të shpenzuar. Me shtrenjtimin e fundit të çmimit të energjisë, konsumatorët ka shumë mundësi që prej kohës së tarifimit të fundit, nga datat 22 deri 27 janar 2022 deri sot, 9 shkurt 2022, të kenë shpenzuar energji të mjaftueshme sa për të kapërcyer kufirin e bllok tarifës prej 800kW. Kjo, sepse marrë parasysh temperaturat shumë të ulëta këto ditë, është shumë e mundëshme që një pjesë e madhe e konsumatorëve të kenë shpenzuar më shumë se 800 kW për ngrohje me energji elektrike dhe të tarifohen me shifra marramendëse për energji elektrike në fund të muajit”, thotë INDEP.
INDEP thotë se intervenimi i menjëhershëm i ZRRE-së është jashtëzakonisht i nevojshëm në mënyrë që të sigurohet se po zbatohen rregullativat në vend.
“I rikujtojmë ZRRE-së që ka për obligim sigurimin e zbatimit të standardeve të informimit të konsumatorëve dhe sigurimit të cilësisë së shërbimit në bazë të nenit 20 të Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Rregullës së vet ZRRE-së Nr. 17/2019 për Standardet e Cilësisë së Shërbimit të Energjisë Elektrike. Këto dy akte juridike, por edhe nenet 53 dhe 55 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve me rastin e matjes dhe faturimit të energjisë së shpenzuar”, thuhet në njoftim.