Është inauguruar Qendra e Migrantëve në Vranidoll të Prishtinës. Ish-ndëresa ushtarake do të shërbejë si qendër për pranim dhe regjistrim për migrant.
Qendra do të sigurojë strehim për migrantët e ngecur, të cilët deri më tani kanë përfunduar shpesh duke jetuar në zona të grumbulluara, në rrugë ose në apartamente të mbipopulluara të përdorura nga rrjetet e kontrabandës, gjë e cila i vë ata në një rrezik shumë të lartë eksploatimi dhe abuzimi. Me përhapjen e COVID-19, situata e migrantëve, veçanërisht e atyre me status të emigrimit të parregullt, është bërë edhe më sfiduese, gjë që ka kërkuar veprim urgjent për të garantuar mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave të tyre.
“Më lejoni të theksoj se menaxhimi i migrimit është ndër prioritetet tona shtetërore dhe këtë e kemi dëshmuar me miratimin e Strategjisë për Migrim 2021-2025 ku kemi paraparë një numër masash që kanë të bëjnë me konsolidimin e mekanizmave institucional në këtë fushë, si dhe duke garantuar që politikat tona të migrimit të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Evropiane, në veçanti në përputhje me Paktin Global për Migrim, Paktin Global për Azil, si dhe Paktin e BE-së për Migrim dhe Azil”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ndërkohë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se migracioni është në krye të prioriteteve të BE-së.
“Migracioni është në krye të listës prioritare për BE-në. Partneriteti me Ballkanin Perëndimor është një pjesë thelbësore e Paktit të ri të Migracionit dhe Azilit. Ne kemi investuar rreth 7 milionë euro në bashkëpunimin tonë në fushën e migracionit me Kosovën dhe qëndrojmë të përkushtuar për këtë kauzë”, ka deklaruar Szunyog.
E Anna Rostocka, shefe e Misionit të IOM-it e ka quajtur këtë moment historik.
Edhe
Të sulmuar e të grabitur: Refugjatët rrëfejnë për abuzimet në kufirin Bosnjë - Kroaci
“Ngritja e qendrës së pritjes është një moment historik në menaxhimin e flukseve të migracionit dhe mbrojtjen e të drejtave të migrantëve. Migrantët duhet të kenë qasje në shërbimet bazike dhe në informacion të saktë dhe të besueshëm që u mundëson atyre të marrin vendime të informuara. IOM do të vazhdojë të mbështesë autoritetet në forcimin e identifikimit të migrantëve të cenuar si viktimat e trafikimit apo fëmijët e pashoqëruar, si dhe në ofrimin e asistencës adekuate”, Rostocka.
Qendra e Pritjes është krijuar në kuadër të projektit “Adresimi i sfidave të COVID-19 në kuadër të reagimit ndaj migrantëve dhe refugjatëve në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga IOM dhe UNHCR dhe financuar nga Instrumenti i Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Bashkimit Evropian (NDICI). Vlera totale e renovimit është afër 450,000 euro.
-
BE-ja do t’i ulë rastet e azilit nga 7 vendet e konsideruara të sigurta, përfshirë Kosovën
-
BE-ja përfshin Kosovën në listën e vendeve të sigurta për azil
-
“Süddeutsche Zeitung” mbi qendrat e migracionit në Shqipëri: Kjo është ana e errët e Evropës
-
Nisin përgatitjet në Gjilan për pranimin e të burgosurve nga Danimarka