Italia ka hapur qendra migracioni në Shqipëri dhe kjo po ndiqet me shumë vëmendje jo vetëm në Gjermani. Por gjithashtu është e qartë: procedura është shumë e debatueshme, dhe gjithsesi e kushtueshme, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Qendra e Shëngjinit është bosh prej muajsh, ndërsa në Gjadër ndodhen aktualisht vetëm rreth 20 persona.
Para gati një viti, qeveria italiane e Giorgia Melonit hapi dy qendra migracioni në Shqipëri - në Gjadër dhe Shëngjin. Zyrtarisht, aty do të përpunoheshin deri në 3000 kërkesa për azil në muaj, larg kufijve të BE-së. Që prej atëherë, mbi 200 persona të ndaluar në Mesdhe janë dërguar në Shqipëri. Por projekti i debatueshëm është shndërruar në një model dëbimi: qendrat funksionojnë sot si kampe paraburgimi për burra të cilët pritet të deportohen.
Që në fillim, “modeli i Shqipërisë” u shoqërua me polemika juridike. Gjykatat në Romë dhe Luksemburg shqyrtuan nëse zhvendosja e migrantëve në një vend jashtë BE-së përputhet me të drejtën europiane të azilit. Gjykata e BE-së sqaroi se vendet mund të shpallin “të sigurta” shtetet e treta vetëm me arsyetime të qarta. Në Itali, disa gjykata e shpallën të paligjshme dëbimin e migrantëve. Si pasojë, koncepti fillestar - procedura të shpejta azili në Shqipëri - është bllokuar. Qendra e Shëngjinit është bosh prej muajsh, ndërsa në Gjadër ndodhen aktualisht vetëm rreth 20 persona.
Raportet e avokatëve, mjekëve dhe deputetëve flasin për kushte të rënda. Migrantët tregojnë për izolim, pasiguri, madje edhe mendime për vetëvrasje. Midis prillit dhe qershorit 2025 janë dokumentuar 65 “ngjarje kritike”, përfshirë dhjetë tentativa për varje. Dy raste tronditën opinionin: një algjerian u deportua pavarësisht paralajmërimeve mjekësore për gjendjen e tij psikologjike; ndërsa marokeni Hamid Badoui i dha fund jetës në Itali pas qëndrimit në qendrat italiane për refugjatë në Shqipëri. Aktivistët flasin për mungesë transparence dhe shkelje sistematike të të drejtave të njeriut.
Ky projekt është vëzhguar nga afër në të gjithë Europën. Ursula von der Leyen e përshëndeti si “qasje jokonvencionale”, ndërsa kritikët e shohin si precedent të rrezikshëm. Edhe Gjermania ka debatuar për “modelet e vendeve të treta”. Ministri gjerman i Brendshëm Alexander Dobrindt e ka ngritur temën disa herë në takimet e BE-së. Për qeverinë shqiptare, marrëveshja lidhet me shpresën për përparim në procesin e anëtarësimit në BE, por nuk ka garanci që kjo do të ndodhë.
Nga ana financiare, modeli ka arritur përmasa gjigante. Sipas universiteteve dhe OJQ-ve, ai i ka kushtuar taksapaguesve italianë mes 670 milionë dhe 1 miliard euro. Një vend në Shqipëri kushton mbi pesë herë më shumë se në Itali. Politikisht, projekti i shërben kryeminisres italiane Giorgia Melonit si simbol i “ashpërsisë” ndaj migracionit. Por kritikët, si deputetja italiane Rachele Scarpa, e quajnë “propagandë” që sjell vuajtje njerëzore dhe shpenzime marramendëse.
“Modeli Shqipëri” është bërë simbol i qasjes europiane ndaj migracionit: një përpjekje për të mbajtur refugjatët jashtë kufijve të BE-së, që rezulton e dyshimtë juridikisht, e vështirë për t’u zbatuar dhe jashtëzakonisht e kushtueshme. Ndërsa migrantët jetojnë pas telave me gjemba duke pritur fatin e tyre, qeveritë përdorin projektin për mesazhe politike. Ajo që mbetet janë procese gjyqësore, tragjedi njerëzore dhe një fshat në Shqipëri që është kthyer në pasqyrë të politikës evropiane.