Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IKSHPK: Rreziku për hantavirus në Kosovë është i ulët

hantavirus

Rreziku për hantavirus në Kosovë vlerësohet shumë i ulët, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. 

IKSHPK në njoftim ka shpjeguar se ethet hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV), të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë, por sipas institutit, numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjatë periudhës 2021–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste, sipas viteve: dy raste në vitin 2021, një rast në vitin 2022, me nga dy raste në vitin 2023 dhe 2024 dhe një rast në vitin 2025. Këto të dhëna tregojnë një prevalencë të ulët të sëmundjes në vend”, njoftoi instituti. 

Hantaviruset janë viruse që transmetohen nga brejtësit te njerëzit. Infeksioni ndodh kryesisht përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, fekalet ose pështyma e brejtësve të infektuar. Në Evropë, sëmundja më së shpeshti paraqitet si ethe hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV).

Periudha e inkubacionit zakonisht është rreth dy javë, por mund të zgjasë nga 7 ditë deri në 6 javë.

Simptomat mund të jenë të lehta ose të rënda dhe përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh, probleme gastrointestinale dhe në raste të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.

Sipas të dhënave, deri më 6 maj 2026 janë raportuar shtatë raste me hantavirus në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor, përfshirë tre viktima. Një person ndodhet në gjendje kritike, ndërsa hetimet laboratorike vazhdojnë. Në disa mostra është konfirmuar virusi Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.

Sipas vlerësimit aktual të rrezikut, transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur dhe nuk transmetohet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë zbatuar masa parandaluese në anije.