Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

OBSH: S’ka shenja të një shpërthimi më të madh të hantavirusit

hantavirus

Foto: Associated Press

Nuk ka asnjë shenjë të një shpërthimi më të madh të hantavirusit pas evakuimit të pasagjerëve të fundit nga anija turistike e goditur nga sëmundja, ka deklaruar kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se “situata mund të ndryshojë” dhe se mund të ndodhë të ketë më shumë raste të konfirmuara të virusit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Anija MV Hondius është larguar nga ishulli Tenerife i Spanjës të hënën dhe po lundron drejt portit holandez të Roterdamit. Dy fluturime me grupin e fundit prej 28 pasagjerësh zbarkuan në Eindhoven aty pranë të martën.

Tre persona kanë vdekur pasi kishin udhëtuar me anijen. Një amerikan dhe një shtetas francez, të cilët të hënën janë kthyer në vendet e tyre, kanë rezultuar pozitivë. Në total, janë konfirmuar shtatë raste.

Dymbëdhjetë punonjës të një spitali holandez janë tani në karantinë për shkak të ekspozimit të mundshëm ndaj virusit, pasi trajtuan një nga pasagjerët e evakuuar.

Spitali në qytetin e Nijmegenit ka thënë të hënën se kjo ishte një masë parandaluese, pasi punonjësit nuk ndoqën protokollet strikte gjatë trajtimit të mostrave të gjakut dhe urinës së pacientit.

“Për momentin, nuk ka asnjë shenjë që po shohim fillimin e një shpërthimi më të madh. Por sigurisht që situata mund të ndryshojë dhe, duke pasur parasysh periudhën e gjatë të inkubacionit të virusit, është e mundur që të shohim më shumë raste në javët e ardhshme”, ka thënë Ghebreyesus në një konferencë për shtyp të martën në Madrid.

Ai gjithashtu ka theksuar se “puna jonë nuk ka përfunduar” për të frenuar shpërthimin nga anija turistike.

Hantaviruset zakonisht transmetohen nga brejtësit, por transmetimi nga njeriu te njeriu i llojit Andes, për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë beson se disa nga pasagjerët e anijes e kontraktuan në Amerikën e Jugut, është i mundur.

Simptomat mund të përfshijnë temperaturë, lodhje ekstreme, dhimbje muskujsh, dhimbje stomaku, të vjella, diarre dhe vështirësi në frymëmarrje.

Zyrtarët e OBSH-së kishin deklaruar më parë se rreziku i një shpërthimi të madh është shumë i ulët.

Rezulton pozitiv me hantavirus edhe një pasagjer spanjoll

43 min. më parë / 12 maj 2026 14:31
Hantavirus

Photo: Associated Press

Një pasagjer spanjoll i evakuuar nga anija turistike që ndodhet në qendër të shpërthimit të hantavirusit ka rezultuar pozitiv ndaj virusit, ka njoftuar të martën ministria spanjolle e Shëndetësisë, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se tashmë ka konfirmuar 11 raste, përfshirë tre persona që kanë vdekur.

Pasagjeri me rastin e ri të konfirmuar të hantavirusit ndodhej në karantinë në një spital ushtarak në Madrid, ku po qëndrojnë edhe 13 shtetas të tjerë spanjollë të evakuuar të dielën, të cilët të gjithë kanë rezultuar negativë ndaj virusit.

Me përfundimin e evakuimit të të gjithë pasagjerëve dhe shumë anëtarëve të ekuipazhit, MV Hondius tani po lundron drejt Holandës, ku do të pastrohet dhe dezinfektohet.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ndodhej në Madrid, ka thënë se të 11 rastet e konfirmuara janë mes pasagjerëve ose ekuipazhit të anijes turistike MV Hondius, përfshirë tre persona që kanë humbur jetën. Nëntë nga 11 rastet janë konfirmuar si virusi Andes.

“Këto shifra kanë ndryshuar shumë pak gjatë javës së kaluar falë qeverive të shumë vendeve dhe partnerëve”, ka thënë Ghebreyesus.

Ndërkohë, 12 anëtarë të stafit në një spital holandez ku po trajtohet një pacient me hantavirus janë urdhëruar të futen në karantinë pasi trajtuan gabimisht lëngjet trupore të pacientit.

Në një spital në Paris, një grua franceze e evakuuar nga anija e prekur vazhdon të mbahet në terapi intensive në gjendje të qëndrueshme. 

Autoritetet shëndetësore thonë se ky është shpërthimi i parë i hantavirusit në një anije turistike.

Megjithëse nuk ekziston as kurë dhe as vaksinë për hantavirusin, OBSH-ja thotë se zbulimi dhe trajtimi i hershëm përmirësojnë shkallën e mbijetesës.

Në total, 87 pasagjerë dhe 35 anëtarë të ekuipazhit janë evakuuar nga anija në breg në Ishujt Kanarinë të Spoanjës, në një operacion të organizuar me kujdes që përfundoi të hënën në mbrëmje.

Anëtarët e mbetur të ekuipazhit më pas morën furnizime dhe u nisën drejt qytetit-port holandez të Roterdamit, ka thënë operatori i anijes Oceanëide Expeditions.