Arbëri

IKD: LVV ta marrë përgjegjësinë për të siguruar konstituimin e Kuvendit

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në emër të stabilitetit dhe legjitimitetit institucional të konstituojnë Kuvendin pa vonesë dhe t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë. IKD ka thënë se vonesat e mëtejmë e thellojnë krizën institucionale dhe cenojnë funksionimin demokratik të institucioneve. 

IKD ka thënë se megjithëse përgjejësi kanë të gjitha partitë, barra kryesore i bie Vetëvendosjes, teksa ka theksuar se ajo duhet të bie dakord të propozojë një kandidat që e votojnë edhe të tjera parti ose të arrijë marrëveshje politike. 

“IKD bën thirrje që të lihen anash inatet dhe interesat partiake duke u dhënë prioritet interesave strategjike drejt promovimit të vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e Institutit.

IKD ka shtuar se mungesa e Kuvendit lë shumë institucione të tjera në prag të jofunksionalitetit për shkak të skadimit të mandateve, të tilla si institucionin e Avokatit të Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Pavarur të Mediave, Gjykatën Kushtetuese, Fondin e Kursimeve Pensionale, etj. 

“Kjo paralizë institucionale e lë vendin dhe qytetarët pa mekanizmat e duhur për garantimin e të drejtave, duke cenuar sigurinë juridike dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët”, ka thënë IKD duke shtuar se peng mbesin edhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.

Shqetësuese IKD e ka vlerësuar se një numër i madh i anëtarëve të Qeverisë mbajnë pozitat në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

“Aktualisht disa deputetë vazhdojnë të ushtrojnë njëkohësisht edhe detyrën e ministrit/ kryeministrit në Qeverinë “Kurti 2”. Ky fenomen përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Ligjit, shkelje kjo tashmë e konstatuar edhe nga Gjykata Supreme”.

Sipas IKD-së, thirrja e seancave çdo 48 orë dhe “propozimi i kandidatëve pa perspektivë”, vetëm sa e shtyjnë procesin në limite apo potencialisht edhe përtej afatit kushtetues. 

“Andaj, IKD kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryesuesi i seancës, z. Avni Dehari, të marrin përgjegjësinë e tyre institucionale dhe politike për të siguruar konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, në mënyrë që vendi të dalë nga bllokada aktuale dhe të rifitojë funksionalitetin demokratik dhe institucional”.

 

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosoves

LIVE: Tjetër përpjekje për konstituim të Kuvendit