Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës të shtunën ka aktivizuar nivelin e alarmit të verdhë për reshje të dendura dhe rrezik potencial për vërshime. Sipas parashikimit, situata pritet të prekë kryesisht Lumin Morava e Binçës dhe zonat përreth tij.
Reshjet e parashikuara pritet të fillojnë të shtunën rreth orës 18:00 dhe të zgjasin deri të dielën vonë. Gjatë kësaj periudhe mund të bien mbi 20 mm shi brenda 12 orëve, duke rritur mundësinë e tejkalimit të pragjeve hidrologjike të rrezikut.
Sipas IHMK-së, probabiliteti që lumenjtë të arrijnë pragun e rrezikut të kthimit 5-vjeçar është 51%, ndërsa ai i kthimit 20-vjeçar 2%.
Instituti thekson se, për shkak të reshjeve të ditëve të fundit dhe paqëndrueshmërisë së përgjithshme hidrometeorologjike, disa zona mund të jenë më të ekspozuara ndaj vërshimeve, sidomos pellgu i Moravës së Binçës (rreziku kryesor), pjesa veri-lindore (Pellgu i Llapit), pjesa qendrore (Pellgu i Sitnicës) dhe pjesa jugore (Pellgu i Lepencit).
Instituti paralajmëron qytetarët se moti është potencialisht i rrezikshëm, duke këshilluar që të kenë kujdes gjatë aktiviteteve në ambiente të jashtme dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet e motit.
“Fenomenet e motit të parashikuara nuk janë të pazakonta, por kërkojnë kujdes. Qëndroni të informuar dhe shmangni rreziqet e panevojshme”, thuhet në njoftim.