Arbëri

Ibrahimi për pagat: Situata në gjyqësor është kthyer prapa

Ish-gjyqtari i Gjykatës Supreme, Hamdi Ibrahimi, ka thënë se sistemi i drejtësisë ka pasur paga dinjitoze vetëm në tri-katër vitet e fundit. Ibrahimi ka thënë se vetëm me vendimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, gjyqtarëve dhe prokurorëve u ishin rritur pagat në mënyrë të dinjitetshme, derisa ka shtuar se me Ligjin e ri të Pagave, situata në gjyqësor është kthyer prapa.

“Vetëm në tri-katër vitet e fundit kishim paga dinjitoze. Tani është krijuar një situatë shumë delikate për faktin se kishte një ligj në Kosovë i cili i garantonte gjyqësorit se pagat nuk do të zbriten, por me ligj të ri kjo është shfuqizuar. Është krijuar një situatë e cila mbas dy vitesh gjyqësorin e kthen në një pozitë ku ka qenë më herët”, ka thënë Ibrahimi të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Ndonëse shprehet optimist se do të gjendet një zgjidhje, Ibrahimi ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës që vlera e koeficientit të pagave të jetë 105 euro, i cili bën që pagat në sistemin e drejtësisë të ulen, mund të ketë ndikim negativ i cili do të vërehet shumë shpejt.

“Impakti i këtyre vendimeve në të ardhmen jo shumë të largët mund të reflektojë negativisht. Kam frikë se ata gjyqtarë dhe prokurorë që janë të përgatitur profesionalisht, do të mendojnë se a do të vazhdojnë të jenë pjesë e gjyqësorit apo jo”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, vendimi për uljen e pagave në sistemin gjyqësor është interferim i ekzekutivit në gjyqësor.

“Është si reflektim i interferimit të ekzekutivit në gjyqësor sepse të gjitha rrethanat çojnë te kjo. Po i referohem standardeve ndërkombëtare. Të gjitha kërkojnë nga ekzekutivi që të mos preken pagat e gjyqësorit. Pagat e gjyqësorit deri para vendimit të Qeverisë Haradinaj janë caktuar në bazë të një ligji i cili i ka lidhur pagat e gjyqësoret me ekzekutivin”, ka shtuar ai.

Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro, është bërë e ditur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën.

{gallery}