Arbëri

Ata që pësuan ulje pagash i kërkojnë Avokatit të Popullit ta çojë ligjin në Kushtetuese

Caktimi i vlerës së koeficientit prej 105 eurosh ka bërë që shumë paga të rriten, por edhe që disa të zvogëlohen për shumë të konsiderueshme, deri në 1.700 euro. Uljen e pagave prokurorët dhe gjyqtarët e kanë kundërshtuar, duke e quajtur ndërhyrje të drejtpërdrejtë të politikës në punën e tyre. Është kërkuar që ligji të dërgohet në Kushtetuese

Ulja e pagave për prokurorë, gjyqtarë, profesorë dhe zyrtarë të tjerë publikë ka nxitur reagime të enjten, saqë është kërkuar nga Avokati i Popullit që ligji të dërgohet në Kushtetuese.

Me caktimin e vlerës së koeficientit prej 105 eurosh, një ditë më parë, janë kuptuar pagat e secilit punonjës të sektorit publik.

Në sistemin gjyqësor e prokurorial, me ligjin e ri do të ketë ulje të pagave deri në afro 1.700 euro.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, ka thënë se vendimi i Qeverisë është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe se kjo është dekurajuese.

“Këshilli Gjyqësor dhe asambleja e kryetarëve i kërkojnë Avokatit të Popullit që t`i ushtrojë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Në këtë rast ta dërgojë Ligjin për Pagat dhe vendimin e Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Zogaj.

Me uljen e pagave, sipas Këshillit Prokurorial, është cenuar funksionimi i sistemit.

Pagat për afro 100 euro u janë ulur edhe profesorëve.

Për uljen e pagave të zyrtarëve publikë kanë reaguar edhe partitë në opozitë.

“Është e pakuptueshme dhe e paarsyeshme se si qeveria kalkuloi dhe vendosi këtë alternativë, e cila jo që zgjidh problemin, por komplikon dhe dëmton skajshmërisht pjesën dërrmuese të përfituesve nga Ligji i pagave. Caktimi i koeficientit 105 euro është jomeritor për qytetarët e vendit dhe për shfrytëzuesit e kësaj norme”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

“Përmes Ligjit të Pagave është ndërhyrë në sektorin e drejtësisë. Është ulur paga e profesorëve në Universitetin e Prishtinës. Vetëm një ditë pasi UP u rendit për 262 pozita më lart. Me këtë koeficient nuk kemi rritje reale të pagave, mund të kemi një rritje nominale që nuk e adreson inflacionin”, ka deklaruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Me vlerën e caktuar prej 105 eurosh nuk është ndarë e kënaqur asnjë nga sindikatat e sektorit publik në Kosovë.