Rritja e koeficientit të pagave të sektorit publik nga 105 në 110 euro, bazuar në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm të miratuar nga Qeveria, po vlerësohet se nuk e adreson situatën aktuale me rritjen e çmimeve. Profesori universitar, Nagip Skënderi, thekson se ekzistojnë mundësi buxhetore që ky koeficient të rritet së paku për 120 deri në 130 euro. E nga 5 eurot shtesë të koeficientit, rritja më e lartë në paga do të jetë ajo prej 90 eurosh, teksa më ulëta për 10 euro.
Për pesë euro është rritur vlera e koeficientit të pagave, me projekt-buxhetin për vitit 2024 të miratuar nga Qeveria.
Sipas këtij projekt-buxheti, nga janari i ardhshëm, ekzekutimi i pagave do të bëhet me përllogaritjen e koeficientit në vlerë 110 eurosh dhe rritja më e lartë në pagat e sektorit publik do të jetë ajo prej 90 eurosh, ndërsa më e ulëta nga 10 euro.
Presidentja do të jetë ajo që do ta marrë pagën me rritjen më të lartë, nga 1 mijë e 890 në 1 mijë e 980 euro. Kryeparlamentari dhe kryeministri do t’i marrin nga 85 euro më shumë se paga aktuale prej 1 mijë e 785 eurosh. E deputetëve nga 1 mijë e 722 euro sa i kanë aktualisht, paga bazë do t’u bëhet 1 mijë e 870 euro.
Në sektorin e arsimit, paga e një profesori të rregullt universitar do të rritet për 62 euro, nga 1 mijë e 302 në 1 mijë e 364 euro. Mësimdhënësve në shkolla të mesme, pagat do t’iu rriten për 29 euro e atyre në shkollimin fillor për 28.
Në Polici, rritja e pagës së një koloneli do të jetë për 51 euro, teksa e një polici të ri për 22 euro e gjysmë.
Por profesori universitar, Nagip Skënderi, thotë se kjo rritje e koeficientit prej 5 eurosh nuk e reflekton situatën aktuale ekonomike me inflacionin.
“Rritja e koeficientit të pagave nga 105 në 110 assesi nuk i plotëson kriteret e një ngritjeje normale, kushtimisht të them në këtë aspekt të pagave. Sepse kemi një mosharmonizim në shportën qytetare të konsumit midis pagave që merren dhe shpenzimeve që një familje bën”, ka deklaruar Skënderi.
Ai vlerëson se ka mundësi buxhetore që koeficienti të rritet për 20 deri në 30 euro, teksa thotë se pret që kjo çështje të reflektohet gjatë shqyrtimit të buxhetit në komisione e në seancë të Kuvendit.
“Së paku koeficienti të shkonte në 120 deri 130, megjithëse prapë edhe ky koeficient nuk do të mund t’i mbulonte në plotësi kërkesat e një familjeje për një mirëqenie sociale, por megjithatë do t’i zbuste paksa”, ka shtuar ai.
Prej 7 muajsh, Ligji me të cilin përcaktohen pagat e sektorit publik është në Gjykatë Kushtetuese, ku është dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë nga Avokati i Popullit.