Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë se ende ka brenga të komunave që kryeministrit Albin Kurti i janë thënë në takimin e para disa ditëve. Ndër to ka thënë se ka qenë shqetësimi i ngritur për tendencat për marrje të buxhetit e të kompetencave të komunave nga niveli qendror.
“Ne kemi analizuar se çfarë ka ndodhur nga takimi i shtatorit të vitit të kaluar, në takimin e janarit mes Kurtit dhe kryetarëve të komunave, kemi vërejtur që në dy pika ka pasur regres. Në shtator nga kryetarët e komunave është kërkuar që të iniciohet Granti të 4-t për investime kapitale në komuna dhe ka pasur tendencë të marrjes së mjeteve financiare nga të hyrat vetjake nga Ministria e Financave, të cilën e ka parandaluar Kuvendi i Kosovës”, është shprehur Ibrahimi, në një intervistë në emisionin “Sot” të KTV-së,
Përkundër kërkesës së komunave, ai ka thënë se Projektligji për financat lokale, ku është paraparë inicimi i Granit të 4-t është hequr nga agjenda legjislative.
Ibrahimi ka thënë se shpreson që raste të tilla të mosmbajtjes së zotimeve si dhe tendencat për marrje të financave nga komunat të mos përsëriten në të ardhmen.
Ai ka thënë se Kurtit ndër të tjera i janë kërkuar më shumë vizita në terren.
Ibrahimi ka thënë se kryetarët e komunave kanë pasur ankesa edhe për ndarje jo të drejtë të buxhetit.
“Kaq specifika të ndryshme të komunave, ka të tilla që ende kanë probleme me furnizim më ujë të pijes ka pasur projekte të tilla por janë ndërprerë, arsyet janë kërkuar, ka pasur projekte për trajtimin e ujërave të zeza, ka pasur projekte që është dashur të financohen nga niveli qendror, si çerdhet publike, ka pasur projekte që janë marr nga një komunë në tjetrën, këto padrejtësi kanë ndodhur, dhe e vetmja zgjidhje është Granti i 4-t, nëse themelohet asnjë kryetar nuk do të ankohet për ndarje të buxhetit në nivelin qendror”, ka theksuar Ibraihmi.
Graniti i 4-t për komuna ka për qëllim që niveli qendror t’i kanalizojë mjetet financiare për komuna.
“Në Projektligjin për financa lokale, aty është i akomoduar Grani i 4-t , aty janë mbi 100 milionë euro, këto mjete shfrytëzohen nga niveli qendror për t’i përkrahur komunat në projekte kapitale, ku kompetent është komuna, për shembull për çerdhe publike, shkolla, ambulanca, rrugë lokale, parqe, kompetent është ko0muna, kurse mjetet financiare janë të nivelit qendror që ndahen bazuar në numrin e banorëve dhe sipërfaqeve”, ka theksuar Ibrahimi.
Ibrahimi ka thënë se rreth 70% të mjeteve të dedikuara për investime kapitale nga komunat janë shpenzuar. Kjo sipas tij ka ndikuar edhe në rritjen e vlerës së mjeteve të investimeve kapitale në nivel vendi.