Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ibrahimi: Bushi i vendosi themelin qëndrimit të Amerikës pro Kosovës

Ilir Ibrahimi, profesor i Qeverisjes Amerikane, ka thënë se ish-presidenti amerikan, George H.W. Bush, që vdiq më 30 nëntor, i kishte vendosur themelin qëndrimit të politikës së jashtme amerikane pro Kosovës.

Ai ka thënë se letra e ish-presidentit amerikan George H.W. Bush për Sllobodan Millosheviqin më 25 dhjetor të vitit 1992 kishte shtyrë luftën Kosovë – Serbi. Në Express Intervistën në KTV, Ibrahimi ka thënë se kjo shtyrje po ashtu shmangi edhe më shumë vrasje e viktima.

“Ne në Kosovë e mbajmë mend për deklaratën ndaj Millosheviqit dhe e dimë se ajo paralajmëroi krizën që shkaktoi shumë viktima. Erdhi mesazhi i qartë se në Kosovë do të kalojë vija e kuqe që detyron superfuqinë amerikane të ndërhyjë. Nëse shohim krizën e Jugosllavisë shohim se nisi me protestat e shqiptarëve vazhdoi me ardhjen në fuqi të Millosheviqit. Kjo deklaratë e ka shtyrë Millosheviqin që të kujdeset nga konflikti i armatosur me shqiptarët. Po të niste lufta e parë në Kosovë para Sllovenisë e Bosnjës numri i viktimave do të ishte shumë më i madh. Ndoshta kjo shtyu konfliktin e armatosur. Prandaj populli i Kosovës është mirënjohës përgjithmonë për Bushin”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë se Bushi kishte vënë themelin e politikës së jashtme amerikane pro Kosovës dhe kjo, sipas tij, u vazhdua më pas nga pasuesi i Bushit, Bill Clinton, që udhëhoqi ndërhyrjen ndaj Serbisë në luftën në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se vendimi për ditë zie këtë të mërkurë në Kosovë pas vdekjes së Bushit, ishte vendim i drejtë. Ka thënë se ky vendim është i drejtë për shkak të rolit të madh që ka pasur Bushi për Kosovën si shtet.

Ibrahimi ka folur edhe për atë se si e kishte njohur Bushin nga afër. Ka thënë se ishte tejet i thjeshtë dhe se “rrinte me këmbë në tokë”.

Edhe Letra që Bushi ia kishte dërguar Millosheviqit për Kosovën në vitin 1992 Arbëri Letra që Bushi ia kishte dërguar Millosheviqit për Kosovën në vitin 1992

“Bushit të vjetër i kam treguar se jam nga Kosova dhe menjëherë tregojnë një simpati sepse Kosova gëzon respekt te amerikanët. Ajo modesti që kam vënë re te Bushi i vjetër të jep ndjesinë se si duhet të jesh si person. Pa marrë parasysh sa i madh je të tregon se duhet të qëndrosh me këmbë në tokë. Sjelljet e tij dhe qasjet që kishte me gjithsecilin tregon madhështinë e tij. Më ka lënë shumë, shumë mbresa”, ka shtuar ai.

George H.W. Bush ishte president i Amerikës për një mandat. Ai udhëhoqi Amerikën nga 20 janari 1989 deri më 20 janar 1993.