Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ibrahimi: 22 komuna vitin e ardhshëm s’do të kenë buxhet për investime kapitale për projekte të reja

Drejtori ekzekutiv në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se 22 komuna nuk do të kenë mjete financiare për investime kapitale gjatë vitit të ardhshëm.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Ibrahimi ka thënë se këto komuna nuk do të përkrahen për projekte të reja.

“Shpenzimet kapitale për vitin 2024 për projekte të reja, 22 komuna vitin e ardhshëm nuk do të kenë mjete financiare për investime kapitale për projekte të reja. Këtë vit 18 komuna nuk kanë marrë mjete financiare buxhetore, pra nuk janë përkrahur për projekte të reja”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka akuzuar nivelin qendror për mosbashkëpunim me komunat.

“Problemi është te niveli qendror pasi komunat gjithnjë dëshirojnë të bashkëpunojnë me nivelin qendror. Prej 100 për qind të buxhetit të Republikës së Kosovës, rreth 25 për qind ndahet për nivelin lokal, nëse dëshiron ta përmirësosh jetën e qytetarit, nevojiten investime. Qytetarët dëshirojnë të shohin zhvillim ekonomik. Te çështja e investimeve kapitale, kjo përqindje do të ishte shumë më e madhe po të ndryshohej ligji mbi prokurimin publik”, është shprehur ai.

Sa i përket të hyrave vetanake, Ibrahimi ka thënë se komunat qendrojnë mirë.

Edhe Ibrahimi thotë se kontrata kolektive po shkakton “gjakderdhje financiare” te komunat Arbëri Ibrahimi thotë se kontrata kolektive po shkakton “gjakderdhje financiare” te komunat

“Në përqindje deri në fund të muajit tetor, komunat i kanë mbledhur 95 për qind të të hyrave vetjake nga tatimi në pronë. Nëse i shohim edhe dy muajt që kanë mbetur, garantoj që përqindja do të kalohet mbi 100%”, ka theksuar ai.

I pyetur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Ibrahimi ka thënë se po të përkthehet në gjuhën shqipe kjo fjalë, i bie “shoqatë” dhe sipas tij, shoqatat nuk mund të kenë kompetenca ekzekutive.

“Fjala ‘Asociacion’ në gjuhën shqipe përkthehet ‘shoqatë’. Shoqata nuk mund të ketë kompetenca. Po të ketë kompetenca, nuk mund të quhej ‘Asociacion’. Marrëveshja e Ohrit sipas meje, ka dhënë një drejtim tjetër. Sipas nenit 7 aty thotë që do të kemi një vetëmenaxhim të komunitetit serb. Ka diferencë të jashtëzakonshme midis Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka thënë ai.