Arian Ibishi, ekspert i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, ka thënë se kushtet e punës në termocentrale janë tejet të rrezikshme. Sipas Ibishit aty nuk është vetëm një shkaktar i rrezikur por kombinim i rreziqeve.
Ibishi në emisionin “Interaktiv” në KTV është shprehur se rekomandimi i tij është që termocentralet të shkojnë remont pasi sipas tij nuk plotësohen kushtet për punë.
Brenda një muaji dy punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën nga lëndimet në vend të punës. Një prej tyre pas lëndimeve të dielën mbrëma.
“Kur flasim për KEK-un duhet theksuar se nuk kemi të bëjmë vetëm me një shkaktar të rrezikut por me një kombinim të rreziqeve. Kemi të bëjmë me një makineri të stërvjetuar, rreziqet dihet që janë përmanente. Pastaj kur flasim për pluhurin që ekziston brenda termocentralit është në ekstrem i rrezikshëm për punonjësit aty. Kur flasim për qymyrin që është aty normalisht, ka gazra kimike që janë të dëmshme, prandaj do të rekomandoja që termocentrali të shkojë komplet në remont sepse nuk i plotëson kushtet sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë”, ka thënë Ibishi.
Ibishi ka shtuar se “prodhimi i energjisë elektrike është i rëndësishëm por më e rëndësishme është jeta e njerëzve që punojnë aty.”
Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi gjatë ditës se ka vdekur punëtori për të cilin të dielën mbrëma njoftoi se ka pësuar lëndime të rënda në vendin e punës. Përmes një postimi në Facebook, KEK-u ka bërë të ditur se 59-vjeçari, Haxhi Gjinovci, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Ai ishte i sistemuar në pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ).
Rreth 20 persona kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë vitit 2025, ndërsa mbi dhjetë raste me fatalitet janë regjistruar deri më tani për këtë vit, sipas të dhënave të Inspektoratit Qendror të Punës.