Arbëri

Ibishi: Do të ketë tentativa për destabilizim të Kosovës, por 24 shtatori ka dhënë leksion

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se do të ketë tentativa për destabilizim të Kosovës edhe në të ardhmen, por siç thotë ai, 24 shtatori u ka dhënë leksion të gjithë atyre që guxojnë të ndërmarrin një hap të tillë.

Më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës parandaluan një sulm paramilitar serb, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiqi, tash i kërkuar nga INTERPOL-i. Serbia e la të lirë Radoiçiqin, pak kohë pasi e arrestoi.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Ibishi ka thënë se incidente të tilla janë lojëra të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të ngritur tensione dhe të tentojë ndonjë kryengritje në veri, por sipas tij, për këtë ai nuk e ka mbështetjen e komunitetit serb.

“Mirë që është ngritur aspekti i gjendjes së sigurisë dhe kërcënimet e mundshme nga Serbia. Edhe ndërkombëtarët kanë rritur prezencën. Do të ketë tentativa për destabilizim, por 24 shtatori u ka dhënë leksion atyre që do të bëjnë tentativa të tilla. Kosova dhe ndërkombëtarët kanë kapacitete të mjaftueshme, ashtu siç tregoi rasti në Banjskë, për t’i neutralizuar që në herën e parë. Këto janë lojëra të Vuçiqit, të ngrit tensionet dhe të tentojë që me luftën hibdride, duke futur ekstremistët si Radoiçiqi, të tentojë ndonjë kryengritje. Nuk do t’ia dalë, pasi s’e pati as përkrahjen e komunitetit serb në veri”, ka thënë ai.

Sipas Ibishit, Kosova asnjëherë s’e ka pasur sigurinë në nivelin që e ka sot.

“Ne kemi mbizotëruar situatën. S’e kemi pasur asnjëherë sigurinë në këtë nivel, veçanërisht në veri. Ekstremistët s’janë aty dhe policia po e kontrollon siç duhet pjesën veriore. Tani duhet organizimi i zgjedhjeve dhe ata qytetarë që jetojnë në atë pjesë të integrohen”, ka deklaruar Ibishi.

Duke komentuar rrahjen e politikanit opozitar serb Nikolla Sanduloviq nga BIA, Ibishi ka thënë se kjo tregon se çdo kush që është kundër regjimit të Vuçiqit, “do ta pësojë njëjtë”.

Eksperti i sigurisë ka vlerësuar se rreziku më i madh për eskalim të situatës në Ballkanin Perëndimor është Bosnja.