Redaktori i Grupit KOHA, Besnik Krasniqi, ka thënë se Policia e Kosovës i ka dhënë mësim Serbisë që pas rastit në Banjskë. Sipas tij, Policia i ka frikësuar deri në palcë ata që deshën ta destabilizojnë veriun.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, Policia e Kosovës parandaloi një sulm nga një grup paramilitar serb, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Për shpërthimin e fundit në veri, Krasniqi ka thënë se armët që Serbia i ka futur në Kosovë tani po u shërbejnë bandave serbe për qërim hesapesh mes vete.
“Janë aktive [persona që duan destabilizimin e veriut], por jo në masën sa kanë qenë para Banjskës. Ato armë që Serbia i ka fut në Kosovë, ato sot po ua hanë kokën vetë serbëve. Nëse armët janë përdorur para disa ditësh ndaj Policisë, ndaj njerëzve që kanë qenë lojal ndaj institucioneve të Kosovës, sot po përdoren për qërim hesapesh mes bandave serbe”, ka thënë Krasniqi në “Konfront” të KTV-së.
“Mund të ketë akoma njerëz të Radoiçiqit, por është fakt se nga rasti i Banjskës, por edhe më përpara, Policia e ka zmbraps Serbinë nga qëllimi për me destabilizu, i ka frikësu në palcë njerëzit që kanë menduar me e destabilizu veriun. Radoiçiqi më nuk e ka as rrjetin, as kredibilitetin, as autoritetin që e ka pas dikur në këtë pjesë. Nuk shoh njerëz me dy mend në kokë që sot i binden çfarëdo urdhri që mund t’i vije qoftë nga Vuçiqi, qoftë nga Radoiçiqi”, ka deklaruar ai.
Siç thotë Krasniqi, Serbia veçse është zmbrapsur nga çfarëdo mësymje për ta destabilizuar veriun.
“Policia i ka dhënë mësim”, ka shtuar Krasniqi.