Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

I sanksionuari nga SHBA-ja për korrupsion thotë që kurrë s’është dënuar për korrupsion

Nexhat Krasniqi ka reaguar për herë të parë pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një shkrim në Facebook të shtunën, Krasniqi që njihet si “baba i tenderëve”, ka thënë se nuk e di arsyen e sanksionimit të tij. Ai ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë i dënuar për korrupsion, por për rastin për të cilin është sanksionuar, Krasniqi ishte dënuar me burgim me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e që si vepër penale hyn në kapitullin e korrupsionit në Kodin Penal të Kosovës.

“Unë edhe mund të jem i papërshtatshëm për Amerikën për të cilën gëzoj shumë respekt. Unë nuk e di arsyen për shkak se rasti është i vitit 2005, e që është rast i gjykuar. Çuditërisht unë kam nënshkruar kontrata me kompaninë prestigjioze amerikane Bechtel në vitin 2010 dhe 2014 për dy autostrada, duke pasur relacione shumë korrekte dhe profesionale me ta”, ka shkruar fillimisht ai.

SHBA-ja në arsyetimin për vendosjen e Krasniqit në listën e sanksioneve tha se ai ka qenë i përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Në vendimin për sanksionim, Departamenti i Shtetit ka thënë se Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke marrë ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit, nga kompania “Eltoni”.

“Ndoshta në media e nga pseudo-gazetar të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti. Ndoshta nga politikanë të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti. Çka është fakt, e për të cilin mundeni me verifiku në krejt institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës edhe ato ndërkombëtare, është kjo: Në Republikën e Kosovës, ku jetoj e punoj prej kur kam lind, KURR në jetë nuk jam dënu për korrupsion e as për marrje rryshfeti…. Jam hetu, jam vezhgu e jam akuzu nga prokuror Amerikan, nga prokuror ndërkombëtar të Eulexit, nga prokuror Shqiptar të të gjitha prokurorive… Jam gjyku e ri-gjyku nga gjykatës Amerikan, nga gjykatës ndërkombëtar te Eulexit, nga gjykates Shqiptarë të të gjitha gjykatave. KURR KURR KURR asnjëherë nuk jam dënu as për korrupsion e as për marrje të ryshfetit…” ka shkruar tutje ai në Facebook.

Për rastin për të cilin është sanksionuar, Themelorja në Prishtinë e ka dënuar Krasniqin me 26 muaj burgim efektiv, ndërsa pas ankimit në Apel dënimi i është zvogëluar në 18 muaj burgim me kusht, por nuk i është ndaluar ushtrimi i funksionit publik.

Krasniqi ka publikuar edhe vendimin e Gjykatës së Apelit të EULEX-it për rastin e vitit 2005.

Edhe “Baba i tenderëve” e humb betejën për rikthim në Ministrinë e Infrastrukturës Arbëri “Baba i tenderëve” e humb betejën për rikthim në Ministrinë e Infrastrukturës

“Sa i përket rastit te vitit 2005 për të cilin po thuhet se paskam keqpërdorur pozitën time publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e Ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni, që të kuptohet saktë nga të gjithë po e publikoj Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Eulexit për këtë rast. Kurr mos u ndalni duke folur e duke shkruar zi e terr për mua, natyrisht pa asnjë fakt, veç mundohuni të paktën nganjëherë t’a bëni punën e gazetarit me etikë e profesonalizëm. Faleminderit!”, ka vazhduar ai.

Image

Pas sanksionimit, ai u suspendua nga pozita e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës. Megjithatë, më 15 nëntor u kthye përkohësisht në pozitën e drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.