Një koment i ish-kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Deçanit, Jeton Mushkolaj në një postim të anëtarit të Kryesisë së partisë, Shkëmb Manaj, në Facebook ka nxitur përplasje publike mes tyre, së cilës iu ka bashkangjitur edhe sekretari i LDK-së, Ilir Ferati.
Manaj kishte postuar më 23 qershor një koment mbi zhvillimet në LDK, duke i dalë në mbrojtje kryetarit Lumir Abdixhikun e bartëses së listës në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjosa Osmani. Ai ka shkruar se bashkimi i Abdixhikut me Osmanin ka pas efekt pozitiv prandaj “janë turrur planet e natës kundër LDK-së”. Ndryshimet në LDK, Manaj ka thënë se mund t’i bëjë vetëm anëtarësia e saj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Ndaj këtij shkrimi ka reaguar gjatë ditës së sotme (30 qershor), Jeton Mushkolaj, i cili në hapësirën e komenteve i thotë Manajt se “kur po të shoh ty e disa të tjerë t’u fol për LDK-në e deri dje në Kryesinë e degës nuk të ka lënë Haki Rugova, s’po shprehem më shumë e po e nal veten”.

E kjo ishte fillimi i përplasjes mes tyre. Manaj iu kundërpërgjigj duke i thënë se ai flet për interesin e LDK-së sepse është brenda strukturave të partisë. I thotë Mushkolajt se nuk ishte etike ta përmendte emrin e ish-kryetarit të Istogut, Haki Rugova.
“Por meqë e përmend, po të njoftoj se në kohën kur ai (Haki Rugova) ka qenë kryetar i degës së Istogut, jam propozuar kandidat për deputet në zgjedhjet e 2019-s dhe me mbështetjen e tij dhe të degës jam zgjedhur deputet. Po ashtu, se bashku me kryetarin Fadil Ferati dhe me kryetarin Haki Rugova, nga viti 2007 jam Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK, i propozuar nga kryetaret paraprak, të cilët përherë e kanë vlerësimin dhe nderimin tonë! LDK është e të gjithëve pa dallim! Kontributi i secilit duhet të jetë në frymën e bashkëpunimit!”, shkroi Manaj.

Pas kësaj, Mushkolaj e quan “të paburrë dhe tradhtar” Manajn pasi thotë se biseduan në telefon për këtë çështje dhe prapë i replikoi në Facebook.
“Shkëmb Manaj, pas komentit tim më telefonove dhe i sqaruam në telefon të gjitha, të cilat nuk dua t’i publikoj këtu në komente. E lamë me aq atë punë. Por ti reagove prapë. Që je i paburrë e kam ditur, ndërsa që je edhe tradhtar, këtë sapo e mora vesh”, ka shkruar Mushkolaj.

E Manaj i tha se “ti në publik, unë në telefon... ky është kontributi juaj për ruajtjen e komunikimit normal në parti... Zoti ta ruajtë burrninë ty”.

Këtij debati iu bashkangjit edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati. Ai i doli në mbrojtje bashkëvendësit të tij, Shkëmb Manaj, duke e i thënë Mushkolajt: “Nëse s’kemi legjitimitet me fol për LDK-në, tregona i dashtun Jeton”.

Mushkolaj iu përgjigj Ferati, duke i thënë se nuk e dinë arsyen e reagimit të tij dhe i shtroi një pyetje.
“A jeni të legjitimuar të reagoni ndaj çdo komenti që bëhet?”, shkroi ish-kandidati për Deçanin.

Por Ferati u shpreh se nuk i reagoi atij, “por porositësit, me qetësi dhe dashuri i dashtun Jeton... mos ço ron”.

Mushkolaj i ka thënë Feratit se nuk e paska njohur kurrë dhe pati një mesazh për të.
“Unë nuk udhëhiqem me porosi, unë jam vetvetja dhe i tillë do të jem gjithmonë. Për dallim...”, është edhe komenti i fundit i replikës mes të tre protagonistëve të përfshirë.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat LDK-ja u rendit sërish e treta me 18 deputetë, brenda partisë janë shtuar thirrjet për përgjegjësi politike dhe dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku. Degët e Pejës, Lipjanit dhe Rahovecit kanë kërkuar që zgjedhjet e brendshme të mbahen sa më shpejt. Megjithatë, në mbledhjen e djeshme të Kolegjiumit të Degëve të LDK-së, në të cilën munguan përfaqësuesit e degëve që kanë kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut, ai deklaroi se gëzon mbështetjen e shumicës dhe se zgjedhjet e brendshme do të mbahen sipas afateve statutare, përkatësisht në vitin 2027.