Në muajin shtator të vitit 2019, Komuna e Pejës kishte blerë mamografin për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Ky aparat, tepër i rëndësishëm për shëndetin e gjirit të femrës, i ka kushtuar arkës komunale 115 mijë euro me të gjitha pajisjet. Vetëm mamografi vetë është paguar me 100 mijë euro të taksapaguesve. Por, ai qe gati dy vjet ende nuk është futur në funksion dhe gjendet i “parkuar” në skaj të një dhome në QKMF.
Për mosfunksionalizmin e mamografit që nga koha kur është blerë e deri tash, drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, është kritikuar edhe nga këshilltaret në Kuvendin e Komunal të Pejës. Një nga to, Mevlyde Idrizi, thotë se drejtori i Shëndetësisë, sidomos që nga janari i këtij viti, ka nisur të pohojë çdo ditë se mamografi do të lëshohet në përdorim “jo sot, e jo nesër...”
“Sot jemi në muajin korrik, e ai ende nuk është lëshuar në funksion. Qe dy vjet është ble mamografi, e mos me e lëshu në përdorim, përveçqë nuk është njerëzore, është shumë e turpshme, e pakapshme dhe jonormale”, është shprehur Idrizi.
Mirëpo, drejtori i Shëndetësisë deklaron se ka arsye pse mamografi qe gati dy vjet nuk është lëshuar në përdorim.
“Dhoma në QKMF ku ka qenë i vendosur mamografi ka qenë e papërshtatshme, sepse ka pasur lagështi dhe ka qenë problematike të futet në funksion”, ka qenë arsyeja e Locit se pse është zvarritur deri tash funksionalizimi i mamografit.
Ai tutje ka deklaruar se tashmë është rinovuar një hapësirë në QKMF, ku janë inkorporuar radiologjia, mamografi dhe ultrazëri. s
“Të gjitha kushtet që duhet t’i ketë, janë krijuar. Është finalizuar gjithçka dhe është izoluar edhe me plumb. Mendojmë që nga java tjetër do ta fusim në funksion mamografin”, ka thënë Loci. “Firma që e ka sjellë duhet ta bëjë fillimisht kalibrimin dhe kryhet një javë testim dhe pas një jave do të lëshohet në përdorim të rregullt.”
Megjithatë, në fund të korridorit në katin përdhese të QKMF-së, ku janë dhomat e Radiologjisë, edhe të enjten shiheshin punëtorë duke punuar zhurmshëm. Hapësira shihej se ende nuk është e përfunduar e tëra.
E, megjithëse është zvarritur qe dy vjet funksionalizimi i mamografit, sipas Locit, nuk ka qenë edhe aq urgjencë e madhe aktivizimi i tij në QKMF, me arsyetimin se një mamograf gjendet në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për nevojat e pacienteve.
Pasi të lëshohet në përdorim, Loci ka thënë se mamografia në QKMF do të jetë pa pagesë për shkak të specifikave që i ka dhe për ta stimuluar ardhjen e grave për këtë ekzaminim.
Specialistja e Radiologjisë në këtë spital, Roza Kola-Hajdari, thotë se i rëndësishëm është fakti që mamografi në QKMF të lëshohet sa më parë në funksion, pasi, sipas saj, janë shtuar kërkesat për mamografi, e në spitalin e Pejës kryhen vetëm nga katër ekzaminime në ditë, dhe atë me termin.
Ajo ka treguar se vitin e kaluar, shkaku i pandemisë, i është kushtuar më pak rëndësi mamografisë, pasi thuajse e gjithë shëndetësia ishte orientuar në luftimin e pandemisë. Por, edhe vetë pacientët, siç tregon ajo, e kanë lënë anash këtë ekzaminim.
“Megjithatë, sivjet sërish është rritur numri i femrave që duan ta bëjnë mamografinë. Kemi terminët e bërë dhe deri në një javë presin derisa u vjen rendi të ekzaminohen. E zakonisht janë deri në 16 femra në listën javore të pritjes”, ka theksuar ajo.
Me rëndësi për të është se pacientja nuk pret më tepër se një javë për ekzaminim, por po të ishte në funksion edhe mamografi në QKMF, siç thotë radiologia, nuk do të kishte fare pritje për mamografi.
Ajo ka treguar se përveçqë është shtuar vetëdija e femrës për kontrollimin e rregullt të gjirit, që me diagnostikimin e hershëm jep mundësinë e shërimit, njëkohësisht në këtë rajon është rritur edhe numri i rasteve të prekura nga kanceri i gjirit. Grupmoshat e prekura, sipas saj, janë mesatarisht të moshës 45 deri 55-vjeçare, por ka raste të sëmundjes së shfaqur edhe te moshat nën 40-vjeçare. Ekzaminimi me mamograf u bëhet vetëm femrave mbi 40 vjeç, derisa atyre nën atë moshë vetëm nëse kanë indikacione. Nga kanceri i gjirit nuk preken vetëm femrat, por edhe meshkujt. Doktoresha ka bërë të ditur se në rajonin e Pejës aktualisht janë katër meshkuj të diagnostikuar me kancer të gjirit, të cilët janë në proces të terapisë.