Arbëri

Tetori “rozë” e gjen jofunksional mamografin e vetëm mobil

Mamografi mobil, i cili që nga vitit 2014 është vënë në dispozicion për kontroll falas për kancer të gjirit, posaçërisht për gratë në zona më të thella rurale, është në servisim. Teksa kërkesat për kontroll dyfishohen gjatë tetorit, në Klinikën e Radiologjisë kanë thënë se ai së shpejti do të vihet në përdorim. Aparatura e mamografit nuk punon as në spitalin e Vushtrrisë

Muaji ”rozë” apo muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sipas profesionistëve në Klinikën e Radiologjisë, ka dyfishuar kërkesat ditore për mamografi.

Përmes njërit nga dy mamografët statikë sa janë në QKUK kryhen së paku 20 ekzaminime brenda ditës. Pos tyre, Radiologjia që nga viti 2014 ka edhe një mamografi mobile apo lëvizëse, por drejtoresha Shkëndije Nuza bën të ditur se ai ndodhet në procedurë të servisimit.

“Për momentin nuk është duke punuar, sepse është në procedura të mirëmbajtjes. Është shumë funksional për arsye se në të gjitha rastet kur ne kemi nevojë brenda për brenda QKUK-së e aktivizojmë, punon siç ka punuar në ditën e parë”, ka thënë Nuza.

Mamografia mobile, ose mamografia lëvizëse nënkupton ofrimin e shërbimit të ekzaminimeve që realizohen me aparat të njëjtë sikurse mamografët në institucionet shëndetësorë ose mamografët statikë, por që është i vendosur në automjet lëvizës dhe përdoret për skrining të kancerit të gjirit (KGJ).

Si i lëvizshëm që është, ideja e projektit ka qenë që të dërgohet nëpër secilën komunë, veçanërisht në zonat e thella rurale, atje ku gratë e kanë të vështirë teknikisht, e edhe financiarisht, të bëjnë kontrollin.

Drejtoresha Shkendije Nuza ka treguar se për mamografinë lëvizëse kanë pasur kërkesa nga qytetet si Hani i Elezit dhe Vitia.

“Por përderisa të kryhen procedurat e servisimit ne nuk mund ta lëvizim. Ndërsa këtë punë e kemi kompensuar. Mamografi mobil e ka arritur edhe qëllimin e vet. Tetë vjet më parë, para se të vijë mamografi mobil, në Kosovë ka pasur shumë pak aparatura të mamografisë, ndërsa sot kemi në të gjitha spitalet”, ka thënë Nuza.

Ajo nuk ka qartësuar nëse kjo aparaturë është vënë në funksion ndonjëherë që nga pandemia, kur ekzaminimet me të ishin pezulluar.

Këtë informacion ndonëse e kanë kërkuar thonë të mos e kenë as në organizatën “Jeta Vita” e cila së bashku me grupin e grave deputete kanë qenë ato që kanë iniciuar blerjen e tij, në mënyrë që të kenë qasje gjitha gratë të kryejnë kontrollet e gjirit.

Nafije Latifi nga Qendra për Luftimin e Kancerit të Gjirit tregon për rëndësinë e aparaturës lëvizëse dhe efektit të saj sa ishte në funksion.

“Ka bë kontrolle nëpër krejt Kosovën. 30 komuna i ka vizituar e tash është mëkat nëse nuk hynë në funksion. U ofrohet grave mundësia që edhe të informohen edhe të kontrollohen. Ka qenë shumë efektiv, mbi 10 mijë kontrolle janë bërë, dhe janë zbuluar rastet kur nuk është dyshuar fare, kur nuk ka pasur ndryshime. Gratë përndryshe nuk kishin ardhur në QKMF për të bërë kontrolle”, ka thënë Latifi.

Drejtoresha e Radiologjisë, Shkëndije Nuza, ka sqaruar se mamografia është ekzaminim që fillon pas moshës 40-vjeçare dhe fillimisht bëhet një herë në vit. Sipas saj, ndonëse janë rritur kërkesat për ekzaminim, aktualisht nuk ka listë të pritjes për mamografi në QKUK. Ajo ka treguar se në një muaj të zakonshëm kryhen deri 300 mamografi.

Me aparaturë të mamografisë janë të pajisur edhe spitalet rajonale. Por pacientët nga Vushtrria i kanë thënë KOHËS se pajisja nuk punon për muaj të tërë.

Menaxhmenti i spitalit gjatë së premtes nuk ka dhënë leje për xhirim të pajisjes, por përmes një përgjigje me shkrim ka njoftuar se aparatura e mamografisë që nga muaji maj ka qenë në servisim dhe se ekzaminimi i pacientëve do të rifillojë të hënën. Drejtoresha e Spitalit, Shefkije Shatri, ka thënë se për këtë shërbim nuk kanë listë të pritjes.

KOHA është informuar se edhe në Spitalin e Mitrovicës nuk aplikohet ky ekzaminim, por pavarësisht tentimeve të televizionit për të marrë sqarime nga spitali, ato nuk janë dhënë gjatë ditës.

Mamografia mobile në Kosovë është inauguruar në tetor të vitit 2014. Është iniciuar nga Grupi i Grave Deputete (GGD) të Legjislaturës së IV të Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kanceri të Gjirit “Jeta/Vita”, të cilët kanë grumbulluar fondet për blerjen e njësisë së mamografit mobil të cilat janë siguruar nga donacionet nga organizatat qeveritare dhe joqeveritare vendore dhe të huaja si dhe nga donatorët individual. Implementimi i shërbimit të mamografisë mobile është realizuar përmes projektit “Ma-Mo 1” i cili është udhëhequr nga Diagnostika e Gjirit në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) deri në fund të vitit 2019.