Mbi 1 miliard euro kanë qenë të hyrat gjatë vitit 2025, ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës. E bizneset ka thënë se llogaritet të kenë pasur qarkullim rreth 25 miliardë euro.
Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, ka thënë se sektorët që sjellin të ardhura më shumë janë ai i ndërtimtarisë dhe hotelerisë. Megjithatë, ka shtuar se sektori i ndërtimit është ai që ka shmangie nga tatimi më shumë.
“Sektorët më të ndjeshëm ose që konsiderohen që sjellin të ardhura më shumë janë kryesisht sektori i ndërtimtarisë dhe i hotelerisë. Pastaj, sektori i mungesës së stoqeve që i targeton shitjet me shumicë dhe pakicë. Por, nëse ndalemi vetëm te sektori i ndërtimit që duket që në Kosovë sektori i ndërtimit ka bërë më së shumti lëvizje ose një boom ekonomik në aspektin e ndërtimit, kjo nuk reflekton në të njëjtën mënyrë në çështjen e rritjes së pagesës së tatimit në anën tjetër. Konsideroj që sektori i ndërtimit mund të jetë prej sektorëve që ka shmangie më shumë”, ka thënë ai në "60 Minuta".
Hyseni ka shtuar se për një vit sektori i ndërtimit ka shënuar rritje prej 3 milionë eurove.
“Vetëm prej vitit 24-25 diku sektori i ndërtimit është diku prej 70 milionëve në 73 milionë që ka shënuar rritje, domethënë 3 milionë rritje ka shënuar vetëm prej vitit paraprak. Nuk janë shifra të vogla këtu kur flasim për shmangie tatimore në sektorin e ndërtimit”.
Hyseni ka theksuar se nga viti i ardhshëm ATK-ja do të nisë program të veçantë për identifikimin e shmangieve tatimore në sektorin e shërbimeve mjekësore.
“Një prej atyre që konsideroj që ka shmangie më shumë që nuk është trajtuar ende në ATK është sektori i shërbimeve mjekësore. Ky është sektori që potencialisht më 2026 do të bëjmë projekt ose program të veçantë për identifikimin ose targetimin e shmangieve tatimore që bëhen në këtë sektor. Qoftë shërbime estetike që kanë të bëjnë me mbjelljen e flokëve, implantin e dhëmbëve, etj”, u shpreh ai.
Ndërkohë Hyseni ka treguar edhe për lojën shpërblyese të cilën e ka nisur ATK-ja për qytetarët përmes kuponëve fiskalë.
“Kemi promovuar lojën e madhe shpërblyese që do të fillojë së shpejti që e kemi quajtur ‘skano kuponin fiskal dhe fito’. Qëllimi i kësaj loje lotarie është që kryesisht qytetarët të bëhen, të përdorin insentiva për mbledhjen e kuponëve fiskalë, që loja shpërblyese do të bëhet në baza javore dhe mujore, pastaj edhe vjetore. Pastaj do të përfshijë jo vetëm tatimpaguesit si persona fizikë por edhe bizneset që konsiderohen që janë të ndershme dhe lëshojnë kupona fiskalë. Qëllimi është krijimi i insentivave për qytetarët që të mbledhin kupona fiskalë dhe pastaj ata kupona të vlerësohen dhe të krahasohen me të dhënat e ATK-së. Normal ata që i ndihmojnë shtetit të shpërblehen. E ata që bëjnë shmangie, i bie të edukohen përmes ndëshkimit”, potencoi Hyseni.