Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hyseni: Për Kosovën nuk ka asgjë më jetike sesa mbyllja e konfliktit me Serbinë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se për Kosovën aktualisht, nuk ka asgjë më jetike sesa mbyllja e konfliktit me Serbinë.

Hyseni ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se qeveria aktuale ka bërë gabimin më të madh duke deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i saj.

“Çështja e njohjeve të reja ndërlidhet ngushtë me një marrëveshje të përgjithshme dhe përfundimtare me Republikën e Serbinë. Qeveria aktuale po bën gabimin më të madh edhe politik edhe strategjik duke pretenduar se dialogu me Serbinë dhe një marrëveshje me Serbinë nuk është një prioritet i Kosovës. Sot për Kosovën nuk ka asgjë më jetike sesa mbyllja e konfliktit me Serbinë”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se Kosova ka një presidente, një kryeministër, dhe një ministre të jashtme që çdo gjë që kanë bërë në politikën e jashtme, siç ka thënë, ka qenë një përpjekje dëshpëruese për ta prezantuar Kosovën si vend të krimit dhe korrupsionit.

Në 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Hyseni ka kritikuar ashpër Ministrinë e Jashtme, duke thënë se ajo është pothuajse joekzistente.

“Rënia e qeverisë në vjeshtë të 2010-tës ka qenë momenti që i ka bërë dëmin më të madh Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Pas shkuarjes time nga MPJ-ja nuk ka pasur një politikë të jashtme konsistente më pastaj. Deri sot politika e jashtme e Kosovës pothuajse është inekzistente, nuk shihet askund”, është shprehur Hyseni, derisa ka krahasuar punën e ish-ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, me atë të ministres aktuale të jashtme, Donika Gërvalla.

Edhe Hyseni: Kosova të mos bëhet Palestinë duke ikur nga tavolina Arbëri Hyseni: Kosova të mos bëhet Palestinë duke ikur nga tavolina

Duke folur për politikën e jashtme, Hyseni ka thënë po ashtu se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) deri më tani është fitorja më e madhe diplomatike e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë.

Sipas tij, të arriturat që ka bërë Kosova në këto 14 vjet shtet janë aq të evidente, sa shpeshherë, siç ka thënë, befasojnë edhe liderët botërorë.