Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hyseni: Kurti gjendet përballë kërkesave të mëdha, vështirë të realizueshme

Flamur Hyseni, profesor i të drejtës ndërkombëtare, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti gjendet përballë kërkesave të mëdha e jodiplomatike, që sipas tij, po vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera mike.

Ai u shpreh në “60 Minuta” të KTV-së të enjten, se kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare janë shumë serioze dhe vështirë të realizueshme, pasi siç ka deklaruar Hyseni, kryeministri Kurti po e interpreton në shkallën më të lartë të mundshme “legjitimitetin e lartë popullor”.

“Është shqetësuese sepse është hera e parë që një marrëdhënie e tillë me ndërkombëtarët po ndodh. Kishte acarime, por është mbërritur maksimumi i keqësimit të raporteve. S’është praktikë e zakonshme që të ketë heshtje kaq të madhe, që nga 12 qershori e deri më sot. Zhvillimet që ndodhën, gjithë ky zhvillim jo i natyrshëm, jo i mirë në pamje sa i përket marrëdhënies së mirë së Kosovës me miqtë. Disa janë miq të SHBA-së e disa tanët. Kjo jep të tregojë se situata është serioze e po shkon drejt një procesi me shumë të panjohura. Kanë pasur kërkesa shumë konkrete dhe e kanë pasur shumë seriozisht. Është hera e parë që po flasim pa diplomaci, shqip me gjuhë angleze, me marrë vesh edhe masa e gjerë përveç vartësitë e institucioneve...Kërkesa në pamje të parë është shumë serioze dhe duket se është kërkesë vështirë e realizueshme sepse kemi një kryeministër që ka një legjitimet të lartë popullor, e këtë po e interpreton në shkallën më të lartë të mundshme”, ka thënë ai.

Sipas profesorit Hyseni, futja e Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe kidnapimi i zyrtarëve policorë është lloj agresioni dhe cenim i rëndë i integritetit territorial dhe i sovranitetit. Ai ka deklaruar se ky veprim i Serbisë paraqet rrezikim të sigurisë së përgjithshme, ndonëse siç u shpreh ai, kufiri me Serbinë ende s’është definuar.

“Por kjo nuk është hera e parë. Kemi pasur kësi ndërhyrje edhe në të kaluarën...Serbia këtë e bën sa herë gjendet përballë kërkesave të fuqishme të SHBA-së. Kosova të jetë shumë më e kujdesshme pasi situata është e brishtë. Të jetë një kujdes i veçantë dhe nuk do të duhej të gjendeshin 3 policë në atë brez kufitar, s’mund të shkosh me 3 policë atje. KFOR-i është i mandatuar, prandaj mosprezenca e KFOR-it është shqetësim dhe duhet parë shumë seriozisht, pasi është çakorduar koordinimi”, ka thënë ai.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare ka deklaruar se është fat i madh për Kosovën që ende është në fuqi Rezoluta 1244, që mandaton KFOR-in të kujdeset për sigurinë e vendit. Kërkesa për rishikimin e rezolutës, sipas Hysenit, është e çuditshme pasi ajo “nuk është çfarëdo rezolute”.

Edhe Hyseni: Kosova s’mundet të shërbejë si vend që i mban njerëzit në kafaz Arbëri Hyseni: Kosova s’mundet të shërbejë si vend që i mban njerëzit në kafaz

“Ne nuk mund të konsultohemi me Brukselin edhe për procedura ditore. Është një lloj presioni politik, është hapur fronti i sigurisë dhe politik. Aspektet politike në çdo kohë mund të përdoren deklarata duke parë rrethana të agjendave ditore...Tash s’ka ambient për negociata. Qeveria ka nevojë të rishikojë marrëdhëniet me miqtë tanë, normalizojë dhe relaksojë marrëdhëniet me Tiranën, e pastaj të shkohet tutje. Me këto inate s’mund të sjellim ndonjë favor, edhe ashtu nuk fitojmë nëse shkojmë drejt një marrëveshjeje tjetër”, ka theksuar ai.

Hyseni ka shtuar se Kosova është shumë larg Bashkimit Evropian, për dallim prej Serbisë, që siç tha ai, i është afruar integrimit.

“Ka një regres në këtë drejtim dhe kjo mund të shkaktojë mjaft telashe në kuptimin e ripërcaktimit të agjendës drejt procesit integrues. Një rol konstruktiv është i Britanisë, por s’ka ndonjë ndikim në proceset euro-integruese...Nga momenti që doli Rama me një ide, e nuk tregoi çka përmban drafti, pos që tha se do të jetë në favor, këtu ishte padurueshmëri e lartë dhe u përshkallëzua në nivel të gjuhës politike që më së paku është politike”, ka deklaruar Hyseni.