Arbëri

298 aktakuza ndaj zyrtarëve publikë nga pavarësia, Hyseni: Dëshmi se personat me pozita të larta s’janë të paprekur

Foto: Koha

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka thënë se me ngritjen e 298 aktakuzave ndaj zyrtarëve të nivelit lokal dhe qendror, që nga pavarësia e deri tash, është dëshmuar se personat me pozita të larta nuk janë të paprekur.

Në konferencën vjetore, Hyseni duke prezantuar punën njëvjeçare të KPK-së ka thënë se janë zgjidhur 83.65 për qind të rasteve lidhur me korrupsion, 220 nga 263 rastet.

Duke komentuar një raport të IKD-së që gjeti se nga shpallja e pavarësisë e deri më 31 maj të vitit 2020 ishin ngritur 298 aktakuza ndaj zyrtarëve publikë, Hyseni ka thënë se kjo ka dëshmuar se askush s’është i paprekshëm.

“189 aktakuza janë ngritur ndaj zyrtarëve të nivelit lokal dhe 109 ndaj nivelit qendror, shumica për vepra penale që bëjnë pjesë në kapitullin e veprave korruptive. Kjo tregon se personat me pozita të larta nuk janë të paprekur”, ka thënë ai.

Hyseni ka treguar se Këshilli ka qenë pjesë e grupit punues për vettingun, dhe sipas tij, kanë kontribuar përmes prokurorëve në rishikimin funksional të sundimit të ligjit.

Ai ka thënë se janë shqiptuar dy vërejtje jopublike si masa disiplinore ndaj prokurorëve.

Si sfida kryesore të punës së KPK-së, Hyseni ka përmendur situatën me COVID-19, mosplotësimin e përbërjes së këshillit me dy anëtarë, buxhetin e pamjaftueshëm për të mbuluar obligimet, mungesën e legjislacionit për rregullimin e ekspertizave, mosrespektimin e parimit të transparencës, infrastrukturën fizike, pezullimin e ligjit për zyrtarët publik.