Arbëri

Sistemi Prokurorial trajtoi 220 raste të korrupsionit gjatë këtij viti

Për nëntë muajt e këtij viti, sistemi prokurorial i Kosovës ka arritur t’i zgjidhë 83 për qind të rasteve të pranuara të korrupsionit dhe 86 për qind të rasteve të krimeve ekonomike. Përmes një konference për media, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka prezantuar punën njëvjeçare të institucionit që ai udhëheq.

Para gazetarëve Hyseni tha se ky vit ka qenë i vështirë për shkak të situatës me pandeminë, porse, megjithatë, kanë arritur që me efikasitet të trajtojnë rastet e korrupsionit dhe krimeve ekonomike. Që nga pavarësia, prokuroritë e Kosovës kanë ngritur 298 aktakuza kundër 216 politikanëve e zyrtarëve shtetërorë për raste të korrupsionit. Kryesuesi Hyseni e cilësoi si të lartë numrin e aktakuzave, ani pse periudha kohore ka qenë mbi 12 vjet. Madje, ai tha se sistemi prokurorial nuk e ka kursyer asnjë person, pavarësisht pozitave shtetërore që kanë mbajtur.

"Nga këto aktakuza, 189 janë ngritur ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të nivelit lokal, ndërsa 109 të tjera ndaj atyre të nivelit qendror. Po e shihni që kryeprokurori i shtetit, zoti Lumezi, dhe bashkëpunëtorët e tij kanë treguar një efikasitet dhe për ata që kanë menduar se të fuqishmit janë të paprekshëm e vërteta qëndron ndryshe”, ka deklaruar Hyseni.

Por, sipas një raporti të ditëve të fundit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, nga 298 aktakuzat, vetëm 55 kanë qenë të zyrtarëve të profilit të lartë dhe asnjë prej tyre nuk është dënuar me burgim efektiv. Gjatë prezantimit të tij, si sfidë të këtij viti që po shkon Hyseni përmendi buxhetin e shkurtuar nga Qeveria për 10 për qind, ndërsa si sukses e cilësoi luftën kundër korrupsionit.

“Nga 263 raste të korrupsionit të pranuara, sistemi prokurorial ka zgjidhur 220 raste, respektivisht ka zgjidhur 83.65% të rasteve të pranuara. Ndërsa sa u përket krimeve ekonomike, nga 261 raste të pranuara janë zgjidhur 227 raste, respektivisht janë zgjidhur 86.97% e rasteve të pranuara”, ka deklaruar ai.

Këshilli gjatë vitit 2020 ka qenë pjesë e grupit punues për hartimin e koncept-dokumentit për përfshirjen e Vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe sipas Hysenit, përmes aktiviteteve në këtë grup është kontribuuar shumë në hartimin e këtij dokumenti. Gjatë përmbledhjes së punës së këtij viti, Hyseni përmendi edhe themelimin e tri departamenteve të reja në Prokurorinë Speciale, Departamentin për Krim të Organizuar dhe Krime të Tjera, Departamentin për Terrorizëm, si dhe Departamentin për Korrupsion dhe Krim Financiar.

Numri i përgjithshëm i rasteve që janë regjistruar në sistem elektronik nga muaji janar deri në nëntor në të gjitha prokuroritë e Kosovës e kalon shifrën prej 30 mijë.