Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hasani: Të rritet numri i prokurorëve dhe gjykatësve

Albana Hasani nga Lëvizja “FOL” ka thënë se kanë rekomanduar që të rritet numri i prokurorëve dhe gjykatësve në sistemin e drejtësisë, pas publikimit të raportit “Performanca e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit gjatë vitit 2022”.

Përveç numrit të prokurorëve dhe gjykatësve, Hasani ka thënë se duhet të rritet edhe numri i zyrtarëve ligjorë dhe bashkëpunëtorëve profesionalë për shkak të rënies së numrit të lëndëve të zgjidhura në vitin 2022 nga sistemi i drejtësisë.

“Raporti nuk përfshin cilësinë e lëndëve, por vetëm aspektin kuantitativ të zgjidhjes së lëndëve. Kemi rekomanduar që të rritet numri i prokurorëve dhe gjykatësve sidomos ata të krimeve të rënda, zyrtarët ligjorë dhe bashkëpunëtorët profesionalë”, ka thënë Hasani në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas raportit të “FOL”, sistemi Prokurorial dhe ai Gjyqësor gjatë vitit 2022 kanë shënuar rënie të efikasitetit në luftën kundër korrupsionit krahasuar me një vit më parë.

Në përmbledhjen e raportit, të bazuar në statistikat e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, është theksuar se në të dy organet e drejtësisë është konstatuar ulje në performancën e hetimit dhe gjykimit të rasteve që ndërlidhen me korrupsionin. Sipas këtij raporti, Prokuroria me rezultatet më të mira në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit është ajo e Gjilanit, ndërsa nga gjykatat, ajo e Pejës. E rezultatin më të dobët në këtë aspekt e ka treguar Prokuroria dhe Gjykata e Mitrovicës, është theksuar në raport.

“Shifrat tregojnë se shkalla e parë e sistemit prokurorial ka arritur që të zgjidhë më pak lëndë të korrupsionit më 2022 sesa më 2021. Gjatë vitit që shkoi janë ngritur aktakuza për 263 persona. Ky numër i aktakuzave për persona kishte pësuar rënie në krahasim me vitin 2021, kur ishin akuzuar 335 persona për veprat penale të korrupsionit”, është thënë gjatë prezantimit të raportit.

Shkalla e parë e sistemit prokurorial gjatë vitit të shkuar nuk ka arritur që të zgjidhë as gjysmën e lëndëve të korrupsionit, të cilat i ka pasur në trajtim. Ajo ka thënë se nga 953 lëndë, janë zgjidhur 430.

Rënie në zgjidhjen e lëndëve ndërlidhur me korrupsionin më 2022, raporti ka evidentuar edhe në shkallën e parë të sistemit gjyqësor. Sipas raportit, nga 268 lëndët në trajtim, gjykatat kanë zgjidhur vetëm 81 syresh, apo 20 për qind më pak se sa në vitin 2021. E nga 81 lëndët e zgjidhura gjatë këtij viti, janë nxjerrë 41 aktgjykime fajësuese, 23 aktgjykime liruese, 4 aktgjykime refuzuese, si dhe 14 lëndë janë zgjidhur në mënyra të tjera.

“Nga aktgjykimet fajësuese, 42 persona janë dënuar me burgim, 22 persona janë dënuar me kusht, 31 persona janë dënuar me gjobë, ndërsa 5 persona kanë pasur dënim plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike”.

Artikuj të ngjashëm