Ylber Hysa, ish-ambasador i Kosovës në Malin e Zi, ka thënë se nënshkrimi në fshehtësi i marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe që ka bërë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, mund ta ndajë shoqërinë malazeze në dy pjesë.
Hysa në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Abazoviqi do që kjo temë të jetë e mbyllur, të mos lihet pezull dhe që të vazhdojë me çështje të tjera për vendin.
“Jam takuar me Abazoviqin dhe sipas tij kjo është një çështje që duhet mbyllur, nuk duhet lënë pezull, duhet koncentruar në tema të rëndësishme për Malin e Zi. Ai dëshironte që këtë ta bënte para zgjedhjeve lokale që kjo të mos ishte një temë. Por më duket se me sot kjo mund të bëhet një temë dhe në mënyrë afatgjate mund ta ndajë shoqërinë malazeze në dy taborë tradicionale, suvereniste dhe në pjesën që lidhet me kishën ortodokse serbe“.
Sipas Hysës, vendimi i Abazoviqit “nuk do të kalojë pa pasoja”.
“Sot marrëveshja është bërë në mënyrë të heshtur, në mënyrë jotransparente”, theksoi ai.
Hysa tha se për rrëzimin e qeverisë nevojiten 41 vota e që për këtë veprim në parlament mungojnë vetëm edhe pesë vota. Ai shtoi se sonte, 3 gusht, partitë e pakicave marrin qëndrim për çështjen.
“Ky qëndrim i Abazoviqit i ka ndarë edhe pakicat që tradicionalisht kanë qenë në pjesën suvereniste malazeze në tre dekadat që e kanë cilësuar politikën independiste malazeze”.
Edhe
Hysa: Abazoviqi do të ketë qeveri të pakicës
Hysa potencoi se Abazaviqi me këtë “i ka shkurtuar mundësitë e tij” për Qeveri.
Ujdia ia mundëson Kishës Ortodokse Serbe eksterritorialitetin e objekteve fetare në Mal të Zi, e hap rrugën për zhvillimin e mësimeve fetare në shkolla publike dhe i jep kompetenca publike-juridike, teksa në disa fusha edhe ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.