Pas nënshkrimit në fshehtësi të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe, e cila i jep asaj të drejta ekskluzive, si eksterritorialitetin, Abazoviqi do t’i nënshtrohet më 19 gusht mocionit të votëbesimit në Kuvend, pasi partia e presidentit Milo Gjukanoviq ka kërkuar që ai të shkarkohet shkaku i braktisjes së agjendës evropiane
Vetëm rreth pesë muaj që nga emërimi, Dritan Abazoviqit është duke iu lëkundur posti i kryeministrit të Malit të Zi, për shkak të nënshkrimit në fshehtësi gjatë së mërkurës të marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe, e cila i jep asaj të drejta ekskluzive në vend, duke përfshirë eksterritorialitetin.
Marrëveshja ishte miratuar nga Qeveria në Podgoricë më 8 korrik, porse Abazoviqi kishte njoftuar më herët se nënshkrimi zyrtar i saj me patriarkun Porfirije nuk do të ndodhë më 3 gusht.
“Terminin e nënshkrimit nuk e di, por mendoj se ky proces duhet që të marrë fund. 3 gushti si datë nënshkrimi për mua është dezinformatë, pasi që data nuk është precizuar”, ka thënë Abazoviqi të dielën.
Pikërisht më 3 gusht, ai bashkë me zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, në krye me patriarkun Porfirije, ia ka vënë nënshkrimin ujdisë në Vila Gorica të Podgoricës. Vetëm pak orë pas kësaj, partia e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, DPS, ka ndërmarrë veprime për inicimin e mocionit të votëbesimit për Qeverinë e 43-të, shkaku i braktisjes së agjendës evropiane.
Veprimin ai e kishte paralajmëruar qysh më herët, teksa për mediat në Mal të Zi kishte shprehur mospajtime për pjesë të shumta të ujdisë.
“Gjithçka që është bërë në kuadër të këtij plani është bërë ngathshëm, ashtu që në fakt as nuk ka ndodhur konstituimi i ekipit të ekspertëve që do ta merrte përsipër përgjegjësinë për ta ndihmuar Qeverinë në vlerësimin nëse gjithçka që nënshkruhet në marrëveshje është në përputhje me interesat e Malit të Zi”, ka thënë Gjukanoviq në fund të korrikut, pasi që ujdia kishte kaluar në Qeveri. “Ne po që kemi treguar qartë se në tekstin e marrëveshjes nuk janë mbrojtur mjaftueshëm interesat e Malit të Zi”, ka shtuar ai.
Për ta jetësuar paralajmërimin, subjekti i Gjukanoviqit bashkë me deputetë nga radha e Partisë Socialdemokrate (SPD), të Partisë Liberale (LS), Socialdemokratëve (SD), si dhe deputeti i Unionit Demokratik Shqiptar (DUA), Mehmed Zenka, kanë nënshkruar propozimin për inicimin e mocionit të votëbesimit për Qeverinë e Abazoviqit. Pas dorëzimit të nënshkrimeve, kryetarja e Kuvendit, Daniela Gjuroviq, ka caktuar për të premten e 19 gushtit mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme parlamentare për votim. Për shkarkimin e Qeverisë së Abazoviqit nevojitet vota e 41 deputetëve që përbëjnë shumicën.
Nga DPS-ja është bërë e ditur se ujdia do të pezullohet menjëherë pas instalimit të një Qeverie të re. Por për Lëvizjen Qytetare URA, në krye të së cilës është Abazoviqi, votëbesimi nuk është interpretuar si një shqetësim, madje zyrtarë të saj kanë shprehur bindjen se Qeveria do të mbijetojë.
Abazoviqi, në deklarimin për media pas nënshkrimit të marrëveshjes kundërthënëse, e ka kualifikuar të mërkurën si një ditë të trishtuar për të gjithë ata që duan të jetojnë në të kaluarën, por ditë të mirë për t’i zgjidhur çështjet e së kaluarës në mënyrë demokratike.
“Besoj që në këtë mënyrë dërgohet mesazh i paqes, tolerancës. Besoj që në këtë mënyrë e hapim një faqe të re, se u kthehemi sfidave të reja që nuk mungojnë në shoqërinë tonë dhe në mjedisin tonë. Por, krejt me dëshirën që në fund të fundit ta ndërtojmë përnjëmend një shoqëri të së drejtës, shoqëri të barazisë dhe që të drejtën, që e kërkojmë për vete, t’ua japim edhe të tjerëve”, ka thënë Abazoviq, duke folur përkrah patriarkut Portfilije.
Në ceremoninë e nënshkrimit, krahas tij dhe patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë fetarë, si dhe nënkryetari i Qeverisë, Vladimir Jokoviq, ministri për të Drejta të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, ministri i Shëndetësisë, Dragoslav Shçekiq dhe ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq.
Pas nënshkrimit, Patriarku Porfirije, i cili ka mbërritur për këtë shkak në Podgoricë pa ndonjë paralajmërim paraprak, e ka vlerësuar ujdinë si gjë të nevojshme për Malin e Zi dhe për bashkësinë fetare të saj.
“Kemi aq shumë gjëra të përbashkëta përgjatë shekujsh sa që është përnjëmend luks të harxhojmë kohë për ato që na veçojnë dhe t’i thellojmë dallimet mes nesh. Shekujt kanë treguar se i duhemi njëri-tjetrit dhe se njëri pa tjetrin nuk mundemi, se gjithçka është e mundur kur jemi bashkë dhe kur në zemrat tona ka vend edhe për atë tjetrin”, ka thënë ai.
Me dhjetëra qytetarë kanë mbajtur një protestë gjatë kohës sa po zhvillohej ceremonia para Vila Goricës, duke i nxitur forcat e rendit që ta bllokojnë qasjen në vilë.
Aktivisti qytetar, Aleksandar Sasha Zekoviq, ka thënë gjatë protestës se Abazoviqi ka treguar se zhvillon politika jotransaparente dhe se para qytetarëve vepron në mënyrë tinëzare.
“Këtë nuk e bën një Qeveri që është transparente. Kjo është diktaturë e hapur e Abazoviqit. Këto nuk janë interesat e qytetarëve”, ka thënë ai, duke e cilësuar marrëveshjen të dëmshme për Malin e Zi.
Ujdia ia mundëson Kishës Ortodokse Serbe eksterritorialitetin e objekteve fetare në Mal të Zi, e hap rrugën për zhvillimin e mësimeve fetare në shkolla publike dhe i jep kompetenca publike-juridike, teksa në disa fusha edhe ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.