Qytetarët shqiptarë dhe ata serbë të Kosovës kanë shqetësim kryesor aspektet ekonomike dhe sociale në Kosovë, sidomos papunësinë, ka gjetur hulumtimi i kryer së fundmi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Iniciativa e Re Sociale.
Shpat Balaj nga QKSS-ja ka thënë të enjten në “Interaktiv” se derisa për shqiptarët e Kosovës shqetësim tjetër është korrupsioni, serbët e shohin si problematike edhe gjendjen ndëretnike.
“Shqetësim kryesor për të dy komunitetet mbesin aspektet ekonomike dhe sociale si papunësia dhe mungesa e vendeve të punës. Derisa për shqiptarët e Kosovës ky problem pasohet me probleme si korrupsioni, serbët e Kosovës e shohim më problematike edhe gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike, që tregon për një lloj pasigurie të tyre në komunitetet përkatëse. Për shqiptarët ka qenë një prej tre top prioritetet që e kanë parë gjendjen e marrëdhënieve politike dhe dhunën politike dhe ekstremizmin politik si problemet më të mëdha pas papunësisë”, ka thënë Balaj.
Sipas tij, pozitive është që të dyja komunitetet e shohin rëndësinë e një shoqërie multietnike dhe besojnë se Kosova duhet të jetë shtet multietnik.
Balaj ka bërë të ditur se hulumtimi është kryer nga 28 tetor deri më 2 ose 3 nëntor të këtij viti dhe se në të janë përfshirë 1,200 qytetarë, prej të cilëve 700 shqiptarë dhe 500 serbë të Kosovës. Hulumtimi është kryer në tetë komuna multietnike, me grupmosha të ndryshme.
-
Barometri i BE-së: 18% e të anketuarve kosovarë e shohin mirë situatën ekonomike – inflacioni problem kryesor
-
Hasani thotë se vetëm gjyqësori ka rënie të shkallës së kënaqshmërisë
-
UNDP: Rënie e kënaqshmërisë me institucionet e drejtësisë, sfiduese rritja e çmimeve
-
Papunësia problemi kryesor për shqiptarët në Serbi, e siguria për serbët në veri të Kosovës
-
Në veri serbët e shohin sigurinë si problem kryesor, në Preshevë shqiptarët papunësinë