LAJMET E MBRËMJES

Papunësia problemi kryesor për shqiptarët në Serbi, e siguria për serbët në veri të Kosovës

Shqiptarët në jug të Serbisë e kualifikojnë papunësinë e ndërlidhur me mosnjohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova si problematikën kryesore të tyre, përderisa serbët që jetojnë në komunat veriore të Kosovës e përmendin si brengë sigurinë në këtë pjesë. Rezultatet janë pjesë e hulumtimit: “Nga sfidat e përbashkëta në zgjidhje të përbashkëta”, të kryer nga organizata “Aktiv” dhe nga Qendra për Demokraci dhe Arsim, që u prezantua të martën

Papunësia e ndërlidhur me mosnjohjen në Serbi të diplomave universitare të lëshuara nga Kosova dhe siguria në veriun e Kosovës janë problemet kryesore të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës dhe të serbëve nga veriu i Kosovës, të paraqitura në hulumtimin “Nga sfidat e përbashkëta te zgjidhjet e përbashkëta”.

Ky hulumtim, i kryer nga organizata “Aktiv” në Kosovë dhe nga Qendra për Demokraci dhe Arsim në Luginën e Preshevës, në qendër të trajtimit pati pozitën e shqiptarëve në Serbi dhe atë të serbëve në Kosovë.

Agon Islami, koordinator i Qendrës për Demokraci dhe Arsim, tha se shkalla e papunësisë dhe ekonomia në Luginën e Preshevës janë probleme që ndërlidhen me mosnjohjen e diplomave të Kosovës në Serbi.

“Për qytetarët shqiptarë, nostrifikimi i diplomave është një problematikë shumë e madhe, ku gati çdo i treti i anketuar ka paraqitur problemin e nostrifikimit të diplomave, ku shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, të diplomuar në Kosovë nga viti 2008, nga shpallja e pavarësisë, nuk u njihen diplomat, dhe kjo ka një lidhje të drejtpërdrejtë me migrimin e të rinjve dhe me papunësinë e tyre”, ka deklaruar Islami.

E Miodrag Miliçeviq, koordinator i organizatës “Aktiv”, e kualifikoi shqetësues rezultatin e anketës që e shpërfaqi çështjen e sigurisë si brengën kryesore të serbëve që jetojnë në komunat veriore të Kosovës.

“Siguria është problemi më i madh i qytetarëve në veri për dallim nga shqiptarët në jug të Serbisë, ku si një nder problemet më të mëdha ata e kanë cilësuar ekonominë” ka theksuar Miliçeviq.

Krahas ekonomisë dhe sigurisë, hulumtimi nxori si shqetësim të përbashkët edhe migrimin dhe pamundësinë e lëvizjes së lirë.

“Sa i përket Luginës së Preshevës, diku 70% e të anketuarve kanë thënë se vendimi për vendosje të letërngjitësve në targa e ka vështirësuar lirinë e lëvizjes. Ndërkaq shqetësues është rezultati i anketës në veri, ku çdo i pesti qytetar ka thënë se nuk ka dalë nga vendi që nga vendimi për vendosje të letërngjitësve”, është shprehur Miliçeviq.

Në prezantimin e hulumtimit u tha gjithashtu se një pjesë e madhe e qytetarëve në të dyja vendet kanë shprehur pritjen që komunitetet të jenë pjesë e dialogut midis Kosovës e Serbisë.