Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është një lajm shumë i madh për Kosovën.
Në Interaktiv të KTV-së, Hoxhaj ka thënë se Qeveria sot e ka dëshmuar atë që e kishte proklamuar, se është një Qeveri e vendimeve të mëdha.
“Ky është një lajm shumë i madh për qytetarët e Kosovës, pasi është procesi ma i rëndësishëm që kanë ndodhur, e për Qeverinë është një nga më të mëdhatë. Ratifikimi i Marrëveshjes ka qenë shkaku kryesor i rrëzimit të asaj Qeverie. Mendoj se sot kemi arritur që të tregojmë atë që kemi proklamuar, se kjo Qeveri do të jetë e vendimeve të mëdha”, është shprehur ai.
Hoxhaj ka thënë se votat janë siguruar falë një bashkëpunimi shumë të shëndoshë, ndërsa tregon se kanë biseduar edhe me Listën Serbe, por kërkesat e saj ishin të papranueshme për palën shqiptare.
“Kemi pasur një deklaratë të përbashkët, e shëndoshë, në mënyrë që të bëhen rregullimet e këtij demarkacioni. Një komunikim shumë të mirë ka pasur ndërmjet partnerëve të koalicionit, me disa deputetë të opozitës dhe po ashtu edhe të Listës Serbe. Heçëm dorë nga Lista Serbe pasi kërkesat e tyre ishin shumë të mëdha, por fatmirësisht patëm mbështetjen e disa deputetëve tjerë. Në shtëpinë e Pacollit ishim takuar me Listën Serbe për të diskutuar për kushtet e tyre. Kërkesat për bordin e Trepçës kanë qenë të papranueshme. Përveç në Hajvali me ta jemi takuar edhe në Kuvend”, është shprehur Hoxhaj.
Edhe
Hoxhaj mëton që pas demarkacionit të arrihet konsensus edhe për ushtrinë
Ai më tutje ka treguar se ka biseduar me komisionerin për Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos.
“Sot kam pasur një telefonatë me Dimitris Avramopoulos (komisioner për Çështje të Brendshme) që është autoriteti më i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Ka qenë një njeri me të cilin kam pasur kontakt në mënyrë permanente, ai tha se sipas tij kjo hap rrugën për qytetarët e Kosovës për të lëvizur lirshëm. Në ditët e ardhshëm pritet të ketë veprime të koordinuara, dhe të caktojmë se si të shkojmë në cakun final”, është shprehur ai.
Hoxhaj ka thënë se nga nesër gjërat do të jenë më të qarta, ndërsa thekson se Kosova tani duhet të jetë më agresive me Brukselin.
“Nesër duhet të komunikohet me Brukselin në mënyrë më të qartë, dhe besoj se nesër do ta kemi më të qartë se kur do të hyjmë në rekomandimet e Këshillit Evropian. Mendoj që duhet tash e tutje duhet të jemi shumë agresiv në raport me Brukselin. Duhet të ketë koordinim me të gjithë zyrtarët e BE-së, si dhe me shtetet përfshirë këtu Francën, Gjermaninë e të tjera”, thotë Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se kushti tjetër për luftimin e korrupsionit është diçka që nuk përfundon as pas liberalizimit të vizave dhe është një proces shumë i gjatë.
Edhe
Hoxhaj thotë se ka pasur takim të qeveritarëve me Vetëvendosjen për demarkacionin
Ai gjithashtu ka komentuar edhe hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend nga Vetëvendosje, të cilën e quajti qasje e dhunës.
“Kushti tjetër, luftimi i korrupsionit, duhet të realizohet brenda jetësimit të MSA-së. Ky kusht nuk përfundon as pas liberalizimit të vizave, pasi kjo është një betejë afatgjate. Mendoj se ka qenë një qasje jo vetëm jodemokratike por ishte një qasje e dhunës. Kuvendi është një vend në të cilën mund të dallojmë në pikëpamje të ndryshme”, ka deklaruar ai.