Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria Kurti ka dështuar në politikën e jashtme, duke thënë se Kosova është vendi i vetëm që s’e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se në raport me politikën e BE-në, Kosova është në rangun e Bjellorusisë dhe të Rusisë.
“Lajmi për Bosnjën pozitiv, por i keq për Kosovën. Sepse në fakt tregon se ne s’jemi askund në procesin e integrimit, se përtej asaj ku është sot Bosnja pas kësaj ftese, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Serbia, të gjitha shtetet jo vetëm në Ballkan, e kanë statusin e kandidati. Kosova futet në rang me Bjellorusinë e Rusinë si shtet që s’është kandidat për t’u bërë anëtar. Dhënia e statusit të kandidatit ka qenë hap i parë i mundshëm i zbatimit të marrëveshjes. Në rrafshin zyrtar, raporti i Kosovës me BE-në është i njëjti me raportin e Bjellorusisë”, ka thënë Hoxhaj.
Zyrtari i PDK-së ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e ka izoluar Kosovën “e Bosnja është rasti tipik për të kuptuar se ky vend po shkon prapa”.
Sipas tij, Kurti ka shkaktuar dëm të madh që s’e ka shfrytëzuar situatën gjeopolitike në Evropë për t’u inkuadruar në Bashkimin Evropian.
Edhe
PDK-ja dhe AAK-ja akuzojnë Kurtin se e ka dobësuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare
“Nëse lexojmë drejt pozitën ndërkombëtare të Kosovës si një vend jashtë OKB-së, si një vend brenda sistemit ndërkombëtar, si një vend që është i pavarur por ka një problem bazik në raport me sistemin ndërkombëtar, ka një luftë në Ukrainë...,nuk do të kishte më jetike për një qeveri të Kosovës sesa plani B dhe do të ishte anëtarësimi në BE dhe në NATO. Nga dëmi më i madh që ka bërë kjo qeveri ka qenë mospërfitimi nga situata e re politike për të shtyrë agjendën për anëtarësim në NATO e BE”, është shprehur Hoxhaj.
Deputeti i PDK-së ka potencuar se anëtarësimi në BE s’është obligim, por vullnet, e sipas tij, Qeveria Kurti s’e ka këtë vullnet.
“Nëse qeveria e një vendi s’ka vullnet politik, nëse s’ka partneritet e vendosmëri t’i përdorë mekanizmat për të shtyrë veten përpara, mbetet këtu ku mbesim ne. BE-ja ka qenë shpesh e padrejtë në raport me Kosovën, e nëse ka pasur padrejtësi kolektive ka qenë liberalizimi i vizave. BE-ja mund të ketë një politikë të kushtëzimit, por kemi një qeveri që para një vitit i tha po Aneksit të Ohrit dhe Marrëveshjes së Brukselit. Kjo marrëveshje është kusht në tavolinë e Kosova s’mund të lëvizë pa sqaruar këtë marrëveshje”, ka shtuar Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se çështja e dinarit serb së fundmi ka qenë “politikë e krijimit të krizës” nga Qeveria Kurti. Sipas tij, ajo është vazhdimësi e përpjekjeve për të mos zbatuar marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.
Edhe
Hoxhaj: Humbja e Dialogut Strategjik është hap prapa me pasoja serioze
“S’dimë se çka do të ndodhë pas dinarit...”, ka thënë ai. “Unë mendoj se dinari dhe të gjitha veprimet që janë ndërmarrë para dinarit janë mënyrë e të menduarit dhe sjelljes së kryeministrit Kurti, që nuk i ka besuar dialogut”.
Sipas tij, “dinari ka qenë temë e kotë që s’do të duhej të diskutohej në Bruksel”.