Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxha: Qeveria s’mund ta arsyetojë me dialogun mospunën në vend

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kritikuar Qeverinë se është fokusuar në dialogun me Serbinë dhe nuk po punon për problemet e brendshme.

E ftuar të enjten në “Konfront” të KTV-së, Hoxha ka thënë se ekzekutivi nuk mund ta arsyetojë me dialogun, mospunën e saj.

“Tema e dialogut gjithmonë ka mund t’i lë në hije plot brenga tona të jetës së përditshme. Ka dikastere të ndara, Ministria e Bujqësisë nuk ka nevojë të merret me Vuçiqin e as Ministria e Ekonomisë. Nuk mundemi ta arsyetojmë asnjë ministër që për shkak të dialogut me Serbinë, ne duhet ta ndalim jetën këtu dhe të mos bëjmë asgjë në dikasteret tjera. Procesi i dialogut mund t’i prekë plotë dikastere, importin e gjëra tjera, por gjithsesi disa gjëra janë bërë, disa procese janë hapur me anë të marrëveshjeve që janë bërë ndërkohë”, ka thënë ajo.

Hoxha ka folur edhe për një problem tjetër, për të cilën ka akuzuar qeverisjen aktuale se nuk po punon në të. Sipas saj, ka rreth tri vjet që nuk ka procesverbale se kush si ka votuar në Kuvend.

“Më vjen keq që në mandatin e kësaj qeverie, më së pari pajisjet në kuvend nuk punojnë. Nuk figurojnë listat mbi të cilat dikur LVV-ja i ka atakuar apo kryqëzuar ata që kanë votuar pro ose kundër të mirës publike. Nuk më intereson ideja e atakimit sa më intereson ideja e parimit që ne marrim përgjegjësi kur e ngremë dorën dhe ato pajisje duhet të punojnë për të ditur se kush çka ka votuar. Nuk ka procesverbale se kush çka ka votuar për tre vjet. Ne votojmë me dorë dhe aty numërohen votat pro, kundër abstenimi dhe aq”, është shprehur ajo.

Edhe Hoxha për Kurtin: Njeriu i cili jeton vetëm për dhe me drama do analizë e diagnozë të vërtetë Arbëri Hoxha për Kurtin: Njeriu i cili jeton vetëm për dhe me drama do analizë e diagnozë të vërtetë

Sipas Hoxhës, kryetari i Kuvendit duhet të kërkojë që të bëhen investime në këtë drejtim.

“Kryetari i Kuvendit duhet të kërkojë që të bëhen investime. Mua nuk më punon mikrofoni im, andaj duhet të lëvizi. Janë çështje të kota mbase për t’i folur, por që në fakt e deformojnë pasqyrën e vërtetë të punës sonë dhe të konstruktivitetit tonë. Unë mendoj rolin e deputetin në kuptim afatgjatë”, ka thënë ajo.