Arbëri

Kërkesa e pushtetit për ndryshim të formatit të dialogut, vlerësohet e pamundur

Riformatim të dialogut Kosovë-Serbi kanë kërkuar nga partia në pushtet. Arbër Rexhaj, deputet i Vetëvendosjes, është shprehur pesimist sa i përket dialogut, meqë deri më tani as agresioni i vazhdueshëm nga Serbia, as sulmi terrorist në Banjskë e as shkeljet e tjera të rënda që ia ka bërë Beogradi zyrtar Marrëveshjes së Brukselit për rrugën drejt normalizimit, nuk janë marrë parasysh.

“Nuk mund të ketë dialog me një Serbi me mënyrën se si sillet. Ne kemi pasur një marrëveshje të dakorduar, e cila ka përmbajtur disa pika, ndër to ka qenë zotimi i dy palëve të tjera në anëtarësime në organizma ndërkombëtarë, ndërkohë në anën tjetër kemi parë se me çfarë gjuhe, me çfarë ashpërsie Serbia është munduar ta ndalojë Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka thënë Rexhaj.

E pikëpamje të kundërt kanë shprehur deputetët opozitarë. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka akuzuar Qeverinë se po dialogon edhe për çështje të brendshme.

“Problematika dhe negociatat për dinarin nuk do të duhet të fillonin fare. Ky është improvizim i institucioneve shtetërore qeveritare të nivelit më të lartë sepse dinari është problem i brendshëm i Kosovës i rregulluar me ligj, problem të cilin nuk do duhej fare ta nxjerrim në arenën ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ashtu si në çështje të brendshme, Qeveria ka dështuar edhe në punët e jashtme.

“Në rrafshin e brendshëm ka një dështim total të menaxhimit të politikave të brendshme. Për tre vjet nuk kanë arritur të sjellin një ligj që e kishin kauzë, ligjin për sigurime shëndetësore. Është vendi i vetëm pa sigurime shëndetësore. Në rrafshin ndërkombëtar, Kosova vazhdon të jetë nën sanksionet e Bashkimit Evropian. Në rrafshin e marrëdhënieve bilaterale, marrëdhëniet me SHBA-në kurrë s’kanë qenë më të dobëta”, ka thënë Tahiri.

Por analisti politik, Artan Muhaxhiri, vlerëson se ndryshimi i formatit të dialogut ka pak gjasa të ndodhë.

“Ka më shumë se një dekadë që është investuar shumë në dialog nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga BE-ja, andaj është krejtësisht iluzore që të kërkohet një ndryshim i formatit të dialogut në mënyrë kaq të lehtë. Është naivitet i skajshëm dhe për më tepër është mungesë e vetëdijes rreziqet që sjell kjo sjellje politike për Kosovën nëse Kosova sillet në mënyrë kaq të papërgjegjshme që një projekt që është kaq gjigand, delikat edhe me rëndësi të jashtëzakonshme politike të tentojë ta ndryshojë me lehtësi kaq të madhe”, u shpreh Muhaxhiri.

Ai është shprehur optimist se Qeveria do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit para sesionit të radhës të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj.

Vlerëson se nëse Qeveria nuk e dërgon draftin në Kushtetuese, do ta lëkundte fort besimin e aleatëve të saj, Gjermanisë dhe Francës, që e kanë bërë këtë kërkesë tashmë.

“Nuk ka alternativë tjetër përveç dërgimit të draftit në Kushtetuese, sepse çdo gjë tjetër do të jetë një humbje e plotë e besimit në normalitetin politik të Kosovës. Kosova nuk do të konsiderohet më si palë e besueshme dhe kjo do ketë pasoja katastrofike gjeopolitke për vendin tonë”, ka thënë Muhaxhiri. 

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka shprehur frikën se komuniteti ndërkombëtar do të dalë me “ndonjë zgjidhje kompromisi” në mënyrë që Kosova përfundimisht të pranohet në Këshillin e Evropës edhe pa e themeluar Asociacionin.

Daçiq, megjithatë, tha se ndërkombëtarët aktualisht po i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Asociacionin.

Deputetët e Vetëvendosjes vazhdimisht kanë thënë se kushtëzimi i Kosovës me progres drejt çështjes së Asociacionit është i padrejtë dhe kanë kujtuar se nga ana zyrtare, formale, asociacioni nuk është kusht për anëtarësimin në KiE.

Shumica e përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, duke i përfshirë edhe ata që e dhanë votën pro anëtarësimit të Kosovës, kanë përmendur Asociacionin gjatë diskutimit muajin e shkuar.

Deputetët e Asamblesë së KiE-së kanë kërkuar që të merren hapa që dëshmojnë vullnetin e mirë të institucioneve të Kosovës drejt zbatimit të këtij zotimi.

Që nga vizita e tij në Kosovë më 11 prill, i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin perëndimor, Manuel Sarrazin, ka dhënë sinjale për përkrahjen e kushtëzuar të Gjermanisë anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Sa i përket raportit të (v.j raportueses Dora) Bakoyannis, Gjermania nuk ka një qëndrim final ende. Së pari duhet ta shohim votimin në Asamblenë Parlamentare dhe nën dritën e atij vendimi, do ta konsiderojmë. Por natyrisht, siç e thashë, ka detyra që duhet përmbushur, njëra prej tyre është Asociacioni, që është përmendur si temë. Por, nuk kemi qëndrim gjerman ende”, pati thënë ai në një konferencë me gazetarë në Mitrovicën e Veriut. Në një përgjigje për KOHËN Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e ka konfirmuar procedimi i draftstatutit është kusht për mbështetjen e saj.

“Për të siguruar një votim të suksesshëm në aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me zotimet e marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç është procedimi zyrtar i draftstatutit të BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues.... Ne duam ta shohim Kosovën në Këshill të Evropës. Tani i takon Kosovës që të japë një sinjal të qartë për t’i bindur të tjerët”, shkruhet në përgjigje.

Këshilli i Evropës i ka mbushur 75 vjet të enjten. Sa i përket anëtarësimit, asnjëherë nuk ka ndodhur që kandidati që është votuar nga Asambleja Parlamentare të mos votohet prej Komitetit të Ministrave. Megjithatë, pikëpyetje janë ngritur vazhdimisht.

Deputeti i Bundestagut gjerman, njëherësh përfaqësues gjerman në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Knut Abrahams, ka thënë se komiteti që përbëhet prej ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të KiE-së është në udhëkryq.

“Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje: 1) Të veprojë në përputhje me vlerat dhe standardet tona duke e pranuar Kosovën këtë maj. 2) Ose, ta injorojë vlerësimin e detajuar të juristëve të shquar, tre raportuesve, tri komisioneve dhe Asamblesë”, ka shkruar Abraham në Twitter. Ai ka thënë po ashtu se nëse Komiteti i Ministrave zgjedh opsionin e dytë “do të dërgonte mesazh të dëmshëm te deputetët dhe qytetarët në rajon: se shtetet mund t’i injorojnë standardet si të duan”.

Me 131 vota për, 29 kundër e 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e KiE-së e votoi anëtarësimin e Kosovës në Këshill më 16 prill.