Në deklarimet jashtë rendit të ditës në seancës e së enjtes, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se në kohën kur Kosova po shënon përvjetorët e shumë masakrave, dëshmitarët e mbijetuar po vdesin. Sipas saj Kosova nuk është kujdesur që t’i ruaj rrëfimet e tyre.
Ajo ka thënë se në vend që tani Kosova të kërkojë drejtësi për viktimat, po kërkon liri për çlirimtarët.
“Dje ishim në Rezallë ku dhimbja është e njëjta çdo ditë atje ku ende ka varre të hapura. Pranverat e Kosovës sa janë të lavdishme aq janë edhe të dhimbshme. Dëshmitarët po vdesin e ne nuk jemi kujdesur t’i ruajmë rrëfimet e tyre. Sot historia jonë duket e rrokullisur dhe e përmbytur. Në vend që të kërkojmë drejtësi për viktimat sot kërkojmë liri për çlirimtarët. Faleminderit qytetarëve dhe të gjithëve që marshuam të dielën për drejtësi. ishte marsh i dinjitetit qytetar. UÇK-ja na ka mbrojtur e bashkuar të gjithëve dhe sot duhet të jemi bashkë për ta mbrojtur atë”, është shprehur Hoxha.
Për përvjetorët e masakrave e për nisjen e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në deklarimet jashtë rendit të ditës, në emër të Lëvizjes Vetëvendosjes ka folur deputeti Agon Batusha.
“Lufta jonë, lufta e popullit tonë, lufta e UÇK-së është ajo që e dimë të gjithë, e pastër dhe çlirimtare, të vërtetën e saj e gjejmë në rreshtat e këtij citati ‘luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë, as si profesion dhe as si pasion po ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën tonë si komb e si shoqëri’”, ka thënë ai duke cituar një pjesë të fjalimit të ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, thënë në fjalën e tij hyrëse në gjykimin që ka nisur këtë javë në Speciale.
Ai ka thënë se është e trishtueshme se si sot janë ende edhe 1647 persona të pagjetur, të zhdukur me dhunë nga aparatura policore dhe ushtarake serbe.
“Shumë nga udhëheqësit aktualë të institucioneve serbe janë vetë dorasit apo urdhërdhënësit e masakrave që kanë ndodhur në Kosovë gjatë periudhës së vitit 1998-1999, 137 vare masive janë gjetur në Kosovë e dhjetëra të tjera në Serbi”, ka deklaruar Batusha, duke thënë se atje ka edhe varre të tjera që pritet të zbulohen.