Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxha: E çuditshme përmendja e Thaçit e Haradinajt në raportin e “Freedom House”

erblin hoxha, debati, interaktiv, serbia, kosova, freedom house

Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL” ka thënë se është e çuditshme përmendja e emrave të ish-kryeministrave të Kosovës, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, në raportin e organizatës amerikane “Freedom House” për vitin 2022.

Hoxha ka thënë të mërkurën mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së, se zyrtarët apo ish-zyrtarët kosovarë asnjëherë nuk janë përmendur me emra kur kanë qenë në pushtet.

“Edhe pse ish-presidenti dhe ish-kryeministri Thaçi është në Hagë, shtrirja e ndikimit të një grupi që është udhëhequr nga grupi i Thaçit nuk është larguar. Për mua është e çuditshme që janë përmendur me emra, pasi një gjë e tillë nuk është bërë kur kanë qenë në pushtet”, ka thënë Hoxha.

Ai ka folur po ashtu edhe për gjetjet e raportit në tërësi duke thënë se në të kaluarën pritshmëritë e qytetarëve nuk kanë qenë të mëdha, pasi raportet kanë qenë reflektim i realitetit. Sipas tij, me ndërrimin e qeverive edhe pritshmëritë kanë ndërruar.

“Këto raporte për disa vite janë publikuar por edhe pritshmëria e qytetarëve nuk ka qenë shumë e madhe, kanë qenë reflektim i realiteti, diçka që e kemi pritur. Me ndërrimin qeveritar duket se edhe pritshmëritë kanë ndërruar, por pastaj e shikon se nuk ka ndonjë progres praktik. Ajo pritshmëri nuk është plotësuar pasi ndërkombëtarisht nuk është sa ka pasur ndërrim shumë të madh. Në të drejtat dhe liritë themelore nuk është se ka pasur shumë progres”, është shprehur Hoxha.

Kosova ka shënuar ngritje të lehtë në raportin e organizatës amerikane “Freedom House” për vitin 2022, por ngecjet kanë mbetur te luftimi i korrupsionit e pavarësia e gjyqësorit.

Edhe Terras: E ardhmja e Kosovës në BE, por anëtarësimi kërkon reforma LAJMET E MBRËMJES 2 j. më parë Terras: E ardhmja e Kosovës në BE, por anëtarësimi kërkon reforma

Edhe pse në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është etiketuar si një nga figurat politike në Kosovë që ka lidhje me krimin e organizuar e korrupsionin e nivelit të lartë. Pos tij, është përmendur edhe emri i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për lidhje të tilla.

Në raportin e organizatës “Freedom House” për vendet në tranzicion, i publikuar të mërkurën, Kosova radhitet sërish në grupin e qeverisjeve hibride/demokraci tranzicionale. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, Kosova shënoi një përparim nga 3.14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.